Një vit mjerim dhe me sytë nga rruga, familja Murati nis dimrin e dytë në çadër

schedule15:10 - 26 Nëntor, 2020

schedule 15:10 - 26 Nëntor, 2020

Një vit pas tërmetit, në familjen Murati në Fushë-Milot të Kurbinit asgjë nuk ka ndryshuar. Shtëpia e tyre u dëmtua rëndë dhe u shpall e pabanueshme. Që prej asaj kohe 6 pjesëtarët familjes janë të detyruar të jetojnë në çadër, të cilën e kanë vendosur në oborrin e banesës së shkatërruar.

Kryefamiljari, Tahir Murati tregon se jeta në këtë kushte gjatë këtyre 12 muajve ka qenë mjaft e vështirë.

“Enver Hoxha për tre muaj i beri te gjitha në tërmetin e 79’….Banesa pësoi dëmtime të shumta nga tërmeti dhe grupet e ekspertëve e kanë nxjerrë të pabanueshme, duke e vlerësuar në kategorinë DS4. Kam shkulur të gjithë pemët por askush nuk ka ardhur”, thotë ai për Abc.

Më kritike shprehet bashkëshortja e Tahirit, Dëshira. Ajo thotë se e ka humbur shpresën pasi edhe ndihmat  janë ndarë në mënyrë selektive.

“S’pyet kush për ne jo. Ata janë për ti sharë, ja u kanë dhënë kujt u ka dash qejfi atyre”, shprehet ajo.

Në kushte të varfërisë ekstreme më e moshuara e shtëpisë nuk ka pranuar të dalë nga banesa që rrezikon të shembet. 90-vjeçarja qëndron në banesën e dëmtuar. Për të është më mirë të jetojë këtu se sa në çadër, me familjarët e saj.

“S’kam frikë hiç, se në çadër s’mund të rri, më merret fryma. Le të më zërë shtëpia, ska gjë, që këtej s’mund të dalë, skam ku rri”, thotë e moshuara. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!