Një pjesë e mësimit online: Detaje, çfarë parashikon protokolli nr.2 që iu referua sot Manastirliu

schedule15:15 - 25 Nëntor, 2020

schedule 15:15 - 25 Nëntor, 2020

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftoi sot se duke filluar nga data 1 dhjetor, mësimi në shkolla do të zhvillohet sipas skenarit nr.2 të miratuar më herët.

Sipas ministres, mësimi do të bëhet i alternuar, me prezencën fizike të nxënësve si edhe online në varësi të kushteve të shkollave.

Manastirliu iu referua skenarit nr.2 të miratuar gjatë muajit gusht, në të cilin parashikohet zhvillimi i mësimit një javë në shkollë dhe një javë online. Pas një jave, sipas këtij skenari, nxënësit shkëmbehen me njeri-tjetrin në javën çift, shkruan abcnews.al.

Shkolla me kapacitete të mjaftueshme

Në rastet kur bëhet fjalë për shkolla që e zhvillojnë mësimin në një turn dhe kanë kapacitete të mjaftueshme, atëherë mund të bëhet një kombinim i klasave, ku një grup do të bëjë mësim duke qenë prezent në klasë dhe grupi tjetër online. Për shembull, mësim duke qenë prezent mund të bëjnë klasat 1, 3, 5, 7 dhe 9, ndërkohë që klasat 2, 4, 6, 8 zhvillojnë mësimin online.

Shkolla me shumë nxënës dhe me kapacitete te limituara

Sipas skenarit nr.2, në rastin e këtyre shkollave, drejtoria duhet të bëjë nje grafik të hyrjes dhe daljes së nxënësve prej saj duke shmangur grumbullimet.
Klasa ndahet në dy grupe dhe mësimi zhvillohet me fasha oraresh të ndryshme. Për shembull, grupi i parë bën mësim nga ora 08:00 deri në 11:00 dhe grupi tjetër nga ora 12:00 deri në 15:00. Javën tjetër, grupet shkëmbejnë orarin e mësimit.

Mësimi në çdo rast zhvillohet 30 minuta.

Shkollat që bëjnë mësim me dy turne
Protokolli nr.2 parashikon se shkollat që kanë shumë nxënës dhe kapacitete të vogla, duhet që t’i ndajnë klasat në 4 grupe. Përcaktohet një orar hyrjeje dhe daljeje nga shkolla për secilin grup me qëllim që të shmangen grumbullimet.

Grupet shkëmbëjnë oraret me njeri-tjetrin çdo javë. /abcnews.al