Korrupsioni po bën kërdinë në periferinë e Evropës

schedule09:07 - 25 Nëntor, 2020

schedule 09:07 - 25 Nëntor, 2020

Nga Gideon Rachman “Financial Times”

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po përpiqen të mbrojnë demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Lufta amerikane është edhe më dramatike, pasi vetë presidenti amerikan po udhëheq përpjekjen për të përmbysur sistemin politik. Ndërkohë në Evropë, kërcënimi vjen kryesisht nga periferia.

Në qendër të vëmendjes janë Hungaria dhe Polonia, teksa qeveritë e tyre po i rezistojnë përpjekjeve për ta lidhur financimin nga BE me respektimin e shtetit ligjor. Por fokusimi ekskluzivisht vetëm tek hungarezët dhe polakët, nënvizon pikërisht problemin e madh që ka sot Evropa.

Në disa vende të tjera të BE-së, skandalet e fundit korruptive, dhe polemikat mbi sundimin e ligjit kanë ngritur pikëpyetje serioze në lidhje me shëndetin e sistemeve të tyre demokratike. Ato përfshijnë Bullgarinë, Rumaninë, Sllovakinë, Slloveninë , Kroacinë, Maltën dhe Qipron. Kolektivisht, këto demokraci me probleme zënë midis 1/4 dhe 1/3 së 27 qeverive të unionit.

Rastet e Hungarisë dhe Polonisë, po marrin vëmendjen më të madhe, pjesërisht pasi në këtë mosmarrëveshje ka edhe një element ideologjik. Udhëheqësi hungarez Viktor Orban, kënaqet kur jep leksione rreth “demokracisë jo-liberale”. Polakët dhe hungarezët, kanë miratuar gjithashtu ligje që e minojnë pavarësinë e gjyqësorit.

Sulmet ndaj demokracisë dhe korrupsioni diku tjetër në BE,po tentojnë që të ndodhin sipas modës së vjetër – nën rrogoz dhe pa fjalime të hapura publike që sulmojnë liberalizmin. Këto skandale tërheqin më pak vëmendje jashtë shtetit. Por ato kanë provokuar protesta të mëdha dhe destabilitet politik në shumë prej këtyre vendeve.

Që nga korriku i këtij vitit, mijëra njerëz kanë dalë në rrugët e Bullgarisë, për të demonstruar kundër qeverisë së kryeministrit Bojko Borisov. Turmat janë irrituar nga historitë e politikanëve dhe zyrtarëve që kanë blerë apartamente me çmime shumë poshtë normave të tregut, por edhe nga fotot ku Borisov ka dalë pranë një sirtar të hapur dhe të mbushur plot me kartëmonedha 500-euroshe dhe lingota ari.

Kryeministri thotë se ato foto janë montazh. Por edhe presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, e ka akuzuar Borisov për drejtimin e një “qeverie mafioze”.Vitet e fundit protestat masive kanë tronditur gjithashtu Rumaninë, ku prokurorët janë përplasur ashpër me ministrat e qeverisë.

Liviu Dragnea, dikur figura kryesore e politikës rumune, u dërgua në majin e vitit 2019 me 3 vite e gjysmë burg me akuzat e korrupsionit. Ivo Sanader, kryeministri më jetëgjatë i Kroacisë që nga pavarësia e vendit, u dënua në 13 nëntor me 8 vjet për korrupsion.

Diku tjetër në BE, skandalet e korrupsionit janë përzier me vrasje. Gazetari Jan Kuciak, dhe e fejuara e tij, Martina Kusnirova, u vranë në Sllovaki në vitin 2018. Kuciak ishte duke hetuar lidhjet midis mafies italiane dhe zyrtarëve të afërt me kryeministrin e vendit Robert Fico, qëu detyrua të jepte dorëheqjen pas protestave që pasuan vrasjen e Kuciak.

Në Maltë, Daphne Caruana Galizia, një gazetares së njohur investigative u vra në vitin 2017, pasi kishte shkruar për pastrimin e parave nga zyrtarë të fuqishëm, si dhe mbi bizneset e gruas së kryeministrit. Hetimet dhe demostratat publike që pasuan vdekjen e saj, çuan në dorëheqjen e kryeministrit, Joseph Muscat, dhe në arrestimin e shefit të tij të kabinetit,

Keith Schembri.

Schembri është liruar me kusht, dhe nuk është akuzuar për shitjen e pasaportave malteze tek shtetasit që nuk i përkasin vendeve të BE-së. Edhe shitja e pasaportave nga Qipro është bërë gjithashtu një çështje shumë e diskutueshme -pasi qeveria atje është akuzuar për lëshimin e pasaportave për kriminelët e huaj, dhe të afërmit e despotëve të tillë, si Bashar Al-Assad i Sirisë dhe Hun Sen i Kamboxhias.

Disa mund të thonë se korrupsioni dhe dhuna në vendet e vogla si Malta ose Qipro janë relativisht të parëndësishme për një BE me 440 milionë banorë. Por në Francë, ish presidenti Nicolas Sarkozy është në gjyq për korrupsion dhe shitje të ndikimit.

Indeksi i perceptimit të korrupsionit të Transparency International, sugjeron që problemi i korrupsionit në Itali mund të jetë më i keq se ai në Maltë ose Qipro. Korrupsioni në çdo vend, sado i vogël qoftë, ndikon tek BE-ja si një e tërë. Çdo vend ka një veto mbi disa politika thelbësore, sikurse është buxheti i BE-ë.

Gjithashtu secili vend merr për 6 muaj kryesimin e BE-së duke diktuar axhendën e saj.

Një pasaportë nga çdo vend i BE, të jep të drejtën për të jetuar dhe punuar kudo në 27 vendet e unionit. Kompetencat e BE-së për të hetuar korrupsionin dhe për të zbatuar ligjin në vendet e saj anëtare janë të kufizuara.

Prokuroria Publike Evropiane (EPPO) e themeluar së fundmi, mund të marrë përsipër vetëm çështje që përfshijnë abuzimet me fondet e BE-së apo veprime nga stafi i saj. Pjesëmarrja në EPPO është vullnetare. Hungaria dhe Polonia kanë zgjedhur të mos bëhen pjesë. Euroskeptikët do t’i shfrytëzojnë këto të meta për të argumentuar se vetë BE është e kalbur nga korrupsioni. Sigurisht, Borisov ka marrë më shumë mbrojtje sesa e meriton nga politikanët e tjerë të BE-së. Por nëse BE do të shpërbëhej, problemet e korrupsionit në vende të tilla si Bullgaria ndoshta do të përkeqësoheshin.

Kur vepron, BE-ja është një forcë për mirë. Pasi u shkarkua nga detyra Laura Codruta Kovesi, një prokurore anti-korrupsion në Rumani, institucionet e BE e mbështetën atë. Zonja Kovesi u emërua më vonë në krye të zyrës së prokurorit publik të BE – duke dëshmuar se kultura politike e Brukselit,diktohet ende nga qeveritë që e marrin seriozisht sundimin e ligjit.

Edhe kështu, shtetet e qeverisura keq dhe me probleme me korrupsionin, janë të mirë-përfaqësuara në tryezën e BE-së. Udhëheqësit evropianë, pozojnë së bashku në samitet për atë që quhet “foto familjare”. Janë mjaft “xhaxhallarë” dhe “kushërinj” të çuditshëm që buzëqeshin para kamerës.

Përktheu Altin Goce për abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!