Antiterrori ka marrë në pyetje Floresha Rashen pas kthimit nga kampi Al Hol.
Burime për ABC thanë se Rasha është pyetur në cilësinë e dëshmitares për mënyrën si ka ikur në Siri, për kampin Al Hol. Mësohet se në pyetje janë marrë edhe fëmijët në prani të psikologëve, të cilët për shkak të moshës nuk mbajnë mend gjë.
ABC ka mësuar se në dëshminë e saj Floresha ka deklaruar se nuk ka vrare njeri dhe ka shpjeguar thjesht rrugën që ka ndjekur për të shkuar në Siri.
“Kam marrë pjesë në luftë, dhe aty jam plagosur, por vetë nuk kam vrarë njeri. Unë në Siri kam shkuar nga Turqia dhe këtë e kanë mundësuar disa person që kam njohur në Tiranë”, është shprehur ajo
Floresha Rasha shkoi në Siri 6 muaj pas bashkëshortit të saj Diamant Rasha, i cili iu bashkua ISIS dhe më pas u vra duke e lënë të vetme gruan me djalin Amarin dhe vajzën adoleshente. Më pas ajo u martua me Lavdërim Muhaxherin, i njohur si “Kasapi i Kaçanikut”.
Kryeterroristi shqiptar i ISIS u vra me dron nga forcat amerikane në 2017. Përgjatë tri viteve martese me Muhaxherrin, Floresha solli në jetë dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Floresha Rasha u kthye më 27 tetor në Shqipëri bashkë me tre fëmijët e saj, Amar, Emel dhe Hatixhe Rasha./abcnews.al