Reforma në Drejtësi, nga një shpëtim për demokracinë siç u trumbetua vite më parë, po shndërrohet në një problem permanent për demokracinë shqiptare. Kështu është shprehur ish-prokurori Besnik Muçi, në një bisedë me gazetaren Jonida Shehu, në “Radari Informativ”, në ABC.
“Shteti shqiptar nuk ka një nga tre degët e pushtetit. Dhe, nëse nuk funksionon një nga degët e pushtetit, nuk funksionon demokracia. Jemi pa Gjykatën Kushtetuese dhe pa Gjykatën e Lartë dhe po shndërrohemi me shumë shpejtësi dhe pa gjykata të tjera,” tha Muçi duke komentuar situatën aktuale të ngërçit në Drejtësi.
Po ashtu, ish-prokurori ngiti shqetësimin se si ka mundësi që institucione të rëndësishme të Evropës, nuk shqetësohen sipas tij, për faktin që prej dy vitesh mungon në Shqipëri pushteti gjyqësor.
“Kam qenë për katër vjet në KE, e kuptoj se çfarë monitorimi bëhet. Nuk e di sa i qetë mund të jetë KE, duke e ditur që prej dy vitesh këtu nuk ka pushtet gjyqësor….Aktori kryesor është KED, nëse e çon listën te presidenti e parlamenti, emërimet janë automatike. Pse duhet zgjatur hetimi për 6 muaj. Për dy ditë të kthehet përgjigje.”
Këto sipas tij, janë mekanizma për ta vështirësuar “në maksimum” ngritjen e këtyre institucioneve, si dhe për të bllokuar kandidatët me filtër pas filtri.
I pyetur se pse, sipas tij, nuk po fillon të funksionojë sistemi i Drejtësisë siç ishin pritshmëritë, Muçi u shpreh se arsyeja primare është që ajo që e ka vonuar gjithë reformën në Drejtësi, nuk ka lejuar edhe ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.
Ndërsa, i pyetur nëse Prokuroria duhej të niste një hetim lidhur me akuzat e PD për fshehje të fataliteteve nga Covid, Besnik Muçi shpjegon: “Në këtë situatë të frikës së përgjithshme, unë vlerësoj që parimisht Prokuroria është e detyruar që të nisë një hetim. Është e detyruar në momentin që vihet në dijeni për fakte me veprime penale. Mund të ishte filluar një mekanizëm verifikimi nëse ka elemente me natyrë shpërdorimi…kjo është drejtësia, që të qetësojë opinion publik.”
Ndërsa, i pyetur se ku e sheh veten në sistemin e drejtësisë, Muçi tha se tashmë është sërish jurist, vijon punën me pasion, vijon edhe punën si pedagog. Po ashtu, Muçi tha se është i pastër, dhe që i ka kaluar emocionet që në sistem.
Ndërkohë, kujtojmë se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi për vendin e Besnik Muçit ka zgjedhur tre kandidatë, Altin Binaj, Aleksandër Toma dhe Sonila Bejtja.
Muçi u emërua gjyqtar nga Presidenti, por pak ditë më pas u shkarkua nga Vettingu. Pas marrjes së këtij vendimi, faza tjetër është intervistimi i kandidatëve dhe renditja e tyre, ndërsa Meta mund të dekretojë vetëm një nga 3 emrat që kryesojnë listën. s.b/abcnews.al/