Kaosi te Sanatoriumi, burime për “ABC”: Pritet të hapet pavioni i tretë te “Covid-3” dhe “Covid-4”

schedule11:41 - 22 Nëntor, 2020

schedule 11:41 - 22 Nëntor, 2020

Situata kaotike me tejmbushjen e spitaleve me pacientë me koronavirus që po qëndrojnë në ambulanca në hyrjen e “Sanatoriumit” ka bërë që ministria e Shëndetësisë të vendosë hapjen e pavionit të tretë te spitali “Covid-3”.

Dy pavionet e spitalit “Covid-3” me 150 shtretër janë ezauruar vetëm pak ditë nga hapja. Kjo ka bërë që nesër pritet që të hapet pavioni i tretë i këtij spitali, që ka 40 shtretër. Ndërsa brenda javës së ardhshme pritet të hapet edhe spitali “Covid-4”.

Lexo edhe: Mjeku jep alarmin: Te “Shefqet Ndroqi” s’ka më vende, pacientët me Covid në ambulanca

Ishte Dritan Koçiaj, mjek te spitali “Covid-2” i njohur ndryshe si “Sanatoriumi” që dha alarmin ditën e sotme se “Sanatoriumi” është mbushur plot dhe pacientët ndodhen prej disa orësh në ambulanca.

Lexo edhe: Situatë kaotike te Sanatoriumi, ambulancat qëndrojnë para spitalit me pacientë

Gazetari i “ABC”-së Maksi Rama raportoi paraditen e sotme nga ky spital, ku ambulancat janë të vendosura para urgjencës me pacientët brenda prej disa orësh, ndërkohë që mjekët shkojnë vazhdimisht për t’i trajtuar aty, pasi brenda pavionet e “Shefqet Ndroqit” janë mbushur./ db/Abcnews.al