Ndarja nga jeta e Bashkim Koplikut, Rama: S’guxova ta pyesja për kë votonte, ishte liberal i djathtë

schedule11:06 - 22 Nëntor, 2020

schedule 11:06 - 22 Nëntor, 2020

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish zv.kryeministrit Bashkim Kopliku, i cili humbi dje betejën me koronavirusin.

Në një shkrim të gjatë në rrjetet sociale, Rama shprehet mes të tjerash se nuk u takua kurrë me Koplikun, por u bënë miq përmes Whatsapp-it.

Kreu i qeverisë thekson se ai i shkruante shpesh duke i dhënë opinionin e vet për çështje të caktuara.

Më tej Rama thekson se ishte liberal i djathtë, ndërsa përmend edhe largimin e tij nga Partia Demokratike.

“Nuk kam guxuar kurrë ta pyes për kë votonte, por di që distanca e tij ideologjike me PS ishte e pakapërcyeshme, ndërkohë që edhe për këtë arsye respekti krejt pa asnjë lloj interesi që më jepte në komunikimet tona, nuk e fsheh se ma përkëdhelte sedrën”, shkruan Rama.

Mesazhi i plotë:

HOMAZH

BASHKIM KOPLIKU u nda nga jeta pasi humbi betejën me virusin vrastar. Nuk u takuam dot asnjëherë, por ishim bërë miq përmes ëhatsapit, ku ai më shkruante shpesh, me pak fjali, opionionit e vet kritik për punë të caktuara të qeverisë apo sugjerimin e tij në momente të nxehta politike.

Bashkimi ishte një liberal i djathtë, antikomunist i paepur por po aq antifashist dhe ndarja e tij me Partinë Demokratike, për të cilën kontribuoi fuqishëm në vitet e rrëmujshme pas krijimit të saj, ishte përveçse një refuzim thuajse përbuzës ndaj gjithçkaje mishëronte lideri i saj historik, edhe një mospajtim themelor me mungesën totale të identitetit të PD si parti e djathtë.

Nuk kam guxuar kurrë ta pyes për kë votonte, por di që distanca e tij ideologjike me PS ishte e pakapërcyeshme, ndërkohë që edhe për këtë arsye respekti krejt pa asnjë lloj interesi që më jepte në komunikimet tona, nuk e fsheh se ma përkëdhelte sedrën. Ai ishte një nga ata njerëz të rrallë sot, me virtytin e koherencës mes si fliste e si jetonte, burrë i ndershëm, fisnik nga ata kokëfortët deri në fund në të tijën, çka vihej re pa vështirësi edhe në ato që shkruante a thoshte kur e ftonin në ekrane – vite drite larg prej pazarxhiut tipik të kohëve që jetojmë, kategori e ulët e parimorëve mediatike, të cilët në mexhelis predikojnë virgjërinë teksa larg syve të publikut kurvërojnë me para, në këmbim të predikimeve të radhës.

Do të më mungojnë mesazhet e Bashkimit, mikut që s’e takova kurrë, por e desha mu si një personazh libri, me të cilin mbetesh përgjithmonë në një lidhje të pakonfirmuar.

U prehsh më në fund në paqe miku im?