Borussia Dortmund arriti një fitore shumë të rëndësishme mbrëmjen e djeshme në transfertën e Hertha Berlin. Të besuarit e Lucien Favre triumfuan me rezultatin e thellë 2-5 dhe tashmë e shikojnë veten në vendin e dytë në renditje, me një pikë më pak se Bayerni kryesues.
Ishte një ndeshje e jashtëzakonshme për Erling Braut Haaland, i cili shënoi plot katër herë. Gjithashtu, pati fatin të debutojë në Bundesliga dhe adoleshenti Youssoufa Moukoko, i cili zëvendësoi pikërisht norvegjezin në minutën e 85-otë të takimit.
16-vjeçari bëhet kështu lojtari më i ri që luan në një ndeshje zyrtare të kampionatit gjerman dhe mposhti rekordin e Nuri Sahin, i cili kishte debutuar në vitin 2005 me fanellën e Dortmund kur ishte 16 vjeç e 335 ditë. Kujtojmë që ishte vetë Bundesliga që uli moshën e lejuar për lojtarët e rinj nga 16 vjeç e gjashtë muaj në vetëm 16 vjeç dhe Moukoko ishte i parë që përfitoi. /abcnews.al