VIDEO/ I përfshirë në trafik droge, ekzekutohet në banesë shqiptari në Ekuador

schedule13:33 - 21 Nëntor, 2020

schedule 13:33 - 21 Nëntor, 2020

Një shqiptar u ekzekutua të premten në rrugën León Febres-Cordero, në Daule të Ekuadorit.

Mediat raportojnë se viktima është identifikuar si Adriatik Tresa, 45 vjeç.

Ngjarja ndodhi në orën 05:00 të së premtes, kur disa burra që u paraqitën si policë, hynë në kompleksin e banimit të Tresës, teksa drejtonin dy makina.

Siç shihet në videon e publikuar, ata kanë hyrë në shtëpinë e shqiptarit të veshur me uniformat e policisë, duke pretenduar se kishin një urdhër gjykate për të kontrolluar shtëpinë.

 

Në shtëpi gjendeshin Tresa dhe kunata e tij, një grua ekuadoriane e cila u bë dëshmitare e ekzekutimit të 45-vjeçarit.

Prokurori Walter Jaramillo, i cili po drejton hetimet, shpjegoi se gruaja dhe i ndjeri ishin ulur në një divan dhe kur ajo u ngrit për të kërkuar që t’i tregonin urdhrin e kontrollit, një nga burrat qëlloi Tresën gjashtë herë me pushkë.

Siç raportojnë mediat skena ka qenë e përgjakshme.

Menjëherë pas kësaj, fqinjët kanë raportuar të shtënat në polici dhe kanë parë vrasësit të largohen me shpejtësi me makinat e tyre.

Ndërkohë organet e hetimit kanë dhënë disa detaje në lidhje me këtë ekzekutim.

Sipas tyre, kanë qenë të paktën shtatë persona që morën pjesë në vrasjen e 45 vjecarit: dy shoferë, dy persona që ruanin jashtë banesës dhe tre të tjerë që hynë në shtëpi dhe ekzekutuan shqiptarin, i cili rezulton të jetë i martuar me një grua ekuadoriane dhe mbante dokumenta të rregullta qëndrimi në Ekuador.

Autoritetet zbuluan se viktima ishte pjesë e një hetimi të Njësisë Kundër Narkotikëve, si i dyshuar në përfshirjen e trafikut të drogës.

Tresa ka qenë më herët i dënuar për posedim dhe armëmbajtje pa leje për gati trembëdhjetë muaj.

Përveç kësaj, ai ka qenë nën hetim në vitin 2013 për krimin e pastrimit të parave ndërsa dyshohet se ai është përfshirë edhe në vrasjen e një tjetër shqiptari në vitin 2017.

Prokurori që po heton çështjen tha se disa javë më parë disa persona janë përpjekur të rrëmbenin Tresën, por pa sukses.

Në maj 2013, Adriatik Tresa u arrestua në një shtëpi në Samborondón të Ecuadorit së bashku me disa persona të tjerë si pjesë e hetimit për vdekjen e gazetarit Fausto Valdiviezo.

Ministri i atëhershëm i brendshëm, José Serrano, tha se një bandë kushtuar trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, ishte e përfshirë në krimin e ndodhur ndaj gazetarit.

n.d./abcnews.al