“Një ditë shumë të rëndësishme për LSI-në”, e ka cilësuar procesin e sotëm të votimeve kryetarja e KQZ-së në këtë parti Silva Caka.
Në një deklaratë për media një orë pas nisjes së votimeve në 51 qendra, Caka tha se deri më tani s’janë vërejtur mangësi në materialet zgjedhore dhe kanë nisur votimet si fizikisht ashtu edhe përmes aplikacionit online.
“Në çdo qendër votimi ata do të kenë asistencë nga asistentët e votimit elektronik, të cilët janë aty me tablet për të ndihmuar këdo që do të ketë nevojë dhe të përdorë kredencialet e tij personale, pra çdo anëtari të ri që mban kartën e re të LSI-së. Sot në mëngjes i janë dërguar kredencialet personale të cilat mund t’i përdori në linkun bashkohu.lsi.al”, shprehet Caka.
Deklarata e plotë
Është një ditë shumë e rëndësishme për Lëvizjen Socialiste për Integrim për shkak se zgjedhim pikërisht atë që edhe ju e përmendët tashmë, që është ekipi fitues për zgjedhjet e 25 prillit.
Pikërisht është rakorduar nga të gjithë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të LSI në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë kryetarët e Komisioneve në të gjitha qendrat e votimit dhe na duhet që të themi që në të gjithë Shqipërinë kemi 51 qendra votimi, ku anëtarët e LSI mund të votojnë nëpërmjet votimit fizik, por sigurisht edhe nëpërmjet votimit online që është një risi e sjellë nga Lëvizja Socialiste për Integrim.
Dhe në komunikimet që ne kemi pasur me të gjithë kryetarët e komisioneve dhe të deleguarit nëpër qarqe na duhet të themi që votimi tashmë ka filluar me sukses në të gjitha qendrat e votimit, pra në të 51 qendrat e votimit.
Nuk janë vërejtur mangësi në materialet zgjedhore. Çdo procedurë është kryer në kohën e duhur dhe tashmë jemi përballur me votuesit e parë të cilët i janë drejtuar qendrave të votimit në të gjithë Shqipërinë, për të votuar si fizikisht nëpërmjet fletës së votimit, ashtu edhe nëpërmjet aplikacionit online.
Për të gjithë ata që ende nuk janë paraqitur në qendrat e tyre të votimit, ne do donim që të kishim një komunikim duke i njoftuar edhe njëherë që, ata anëtarë të LSI që mbajnë kartat e reja të anëtarësisë mund të votojnë vetëm nëpërmjet aplikacionit online.
Në çdo qendër votimi ata do të kenë asistencë nga asistentët e votimit elektronik, të cilët janë aty me tablet për të ndihmuar këdo që do të ketë nevojë dhe të përdorë kredencialet e tij personale, pra çdo anëtari të ri që mban kartën e re të LSI-së. Sot në mëngjes i janë dërguar kredencialet personale të cilat mund t’i përdori në linkun bashkohu.lsi.al.
Doja të njoftoja që zyrat e LSI-së, pra qendrat e votimit, do të jenë të hapura deri në orën 16 dhe çdo qendër votimi që ka ende anëtarë të LSI-së që presin të votojnë pas këtij orari, pa diskutim që me miratimin e Komisionit të Zgjedhjeve do të vazhdojë që të mbajë qendrën të hapur.
Ne jemi përpjekur maksimalisht që të garantojmë jo vetëm nga ana procedurale këtë proces, por edhe duke respektuar protokollin dhe masat e sigurisë anti Covid 19. Në çdo qendër votimi është ruajtur distanca fizike, janë vendosur ato që quhen baza higjienike, pra maska, dezinfektantë për duart, dezinfektantë për pajisjet e qendrës së votimit.
Njëkohësisht janë afishuar të gjitha paralajmërimet, ato që duhet të jenë në hyrje të çdo ambienti, siç janë qendrat e votimit në këtë rast, janë vendosur afishet që i paralajmërojnë qytetarët për ruajtjen e këtyre masave. Faleminderit!./abcnews.al