Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

COVID-19/ “Skllave” nga Koreja e Veriut, si siguruan disa shtete materiale mjekësore nga Kina

schedule09:18 - 21 Nëntor, 2020

schedule 09:18 - 21 Nëntor, 2020

Qeveria Britanike ka siguruar materiale mjekësore mbrojtëse nga fabrikat në Kinë, në të cilat qindra gra të Koresë së Veriut kanë punuar fshehurazi në kushte skllavërie.

Lajmin e ka bërë të ditur prestigjiozja britananike “The Guardian” në një material ekskluziv raporton abcnews.al.

Sipas “The Guardian” qindra mijëra kominoshe mbrojtëse mjekësore të porositura për Departamentin e Shëndetit dhe Kujdesit Social (DHSC) kanë ardhur nga fabrikat që përdorin fuqinë punëtore të Koresë së Veriut në qytetin kinez të Dandong.

Investigimi tre-mujor ka gjetur prova të punës së realizuar nga punëtoret e Koresë së Veriut që u përdorën në fabrikat të cilat eksportojnë materiale mjekësore mbrojtëse në SH.B.A., Itali, Gjermani, Afrikë të Jugut, Japoni, Kore të Jugut, Filipine dhe Mianmar.

Mendohet se punëtoret e Koresë së Veriut në Dandong, të cilët janë kryesisht gra, punojnë deri në 18 orë në ditë, pa pushim.

Ato janë gjatë gjithë kohës nën mbikëqyrje të vazhdueshme dhe nuk janë në gjendje të largohen lirisht nga fabrikat.

Burimet tregojnë se 70 % e pagave të punëtoreve nga Koreja e Veriut të cilat punuan në fabrikat që prodhojnë materialet mjekësore në Dandong janë marrë nga shteti i Koresë së Veriut.

“Punëtorët nuk kanë ditë pushimi. Ato nuk lejohen të dalin jashtë. Shteti i Koresë së Veriut i kontrollon ato. Ata bëjnë para për vendin”, tha një menaxher i cili punon në një nga fabrikat.

Kombet e Bashkuara e kanë quajtur eksportin e punëtorëve në vendet e huaja nga regjimi i Koresë së Veriut, si punë e detyruar e sponsorizuar nga shteti, e përcaktuar si një formë e skllavërisë moderne nga Organizata Ndërkombëtare e Punës.

Nga investigimi mendohet që qeveria e Mbretërisë së Bashkuar mund të ketë kanalizuar në mënyrë indirekte paratë e taksapaguesve në xhepat e Kim Jong-un dhe regjimit të tij brutal, për të cilin Kombet e Bashkuara kanë deklaruar se është fajtor për “shkelje të përhapura dhe të mëdha të të drejtave të njeriut” që paraqesin krime kundër njerëzimit.

Përdorimi i punëtorëve të Koresë së Veriut në Kinë, shkel sanksionet e vendosura nga Kombet e Bashkuara për të ndërprerë të ardhurat e Koresë së Veriut të fituara nga punëtorët e saj jashtë shtetit.

Një nga qëllimet e qarta të këtyre sanksioneve është ndalimi i fitimeve të eksportit të huaj duke u përdorur për të mbështetur programet e ndaluara të raketave bërthamore dhe raketore balistike.

Sanksionet e SHBA ndalojnë gjithashtu importin e çdo malli në SH.B.A. të prodhuar plotësisht ose pjesërisht nga Koreano-Veriorët.

Qeveria është përballur me kritika të vazhdueshme mbi mungesën e saj të transparencës dhe përgjegjësisë në dhënien e miliarda paundëve të marrëveshjeve për të blerë pajisjet mbrojtëse mjekësore duke përdorur rregullore që lejojnë dhënien e kontratave drejtpërdrejt dhe pa oferta konkurruese në rastet e “urgjencës ekstreme”.

“Qeveria nuk duhet të përdorë rregullore që lejojnë që prokurimi i urgjencës të nxitojë përmes kontratave madje pa u përpjekur të zbulojë nëse ka rreziqe për punëtorët në zinxhirët e furnizimit që prodhojnë materialet mjekësore mbrojtëse. Kjo mungesë e kujdesit të duhur paraqet të vërtetën se, larg nga trajtimi efektiv i skllavërisë moderne, politikat e qeverisë po lejojnë shfrytëzimin e egër të punëtorëve”, tha Phil Bloomer, drejtori i Qendrës së Burimeve të Biznesit dhe të Drejtave të Njeriut.

Dërgesa në Mbretërinë e Bashkuar përfaqëson vetëm një pjesë të PPE të bëra nga fabrikat në Dandong e cila duket se përdor punëtorët e Koresë së Veriut.

Në muajin prill 200,000 kominoshe sterile zbarkuan në Bari të Italisë, në kutitë e shënuara me markën dalluese të Dandong Huayang.

Një distributor në Afrikën e Jugut reklamoi dy milion kostume mbrojtëse nga e njëjta kompani dhe disa porosi në sasi më të vogël u gjetën në SH.B.A., Gjermani, Korenë e Jugut dhe Japoni.

Guardian zbuloi se dy fabrika të tjera në Dandong që besohet se po përdorin punëtorë të Koresë së Veriut, kanë prodhuar materiale mjekësore mbrojtëse për klientët në SH.B.A. dhe Filipine.

n.d./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!