Infermierja amerikane: Ka pacientë që nuk e pranojnë se janë të infektuar me Covid-19

schedule12:18 - 18 Nëntor, 2020

schedule 12:18 - 18 Nëntor, 2020

Infermierja Jodi Doering nga Dakota e Jugut në SHBA, ka folur për CNN se si disa prej pacientëve të saj me COVID-19 madje edhe në momentet para vdekjes, refuzojnë të besojnë se koronavirusi është i vërtetë.

“Më vjen shumë keq t’i shoh këta njerëz që ende dëshirojnë të mos besojnë dhe pranojnë që ekziston koronavirusi, edhe pse i sjellin këtu me autoambulanca me simptoma të rënda. Kërkojnë një ilaç që bënë magjinë dhe refuzojnë të besojnë që janë infektuar me COVID-19”, ka shtuar Doering.

 

“Ekziston një arsye pse kam vendosur të shkruaj në Twitter për këtë. Nuk bëhet fjalë për një pacient, një rast i izoluar. Ka pasur shumë pacientë që fjalët e fundit para vdekjes i kanë thënë se kjo nuk po ndodh, dhe se nuk është e vërtetë. Në vend që momentet e tyre të fundit t’i kalojnë me familjarët, ata mbusheshin me mllef. Kjo më ka pikëlluar shumë për disa ditë,  ka thënë ndër tjera infermierja amerikane.

Kur gazetarja u pyet nëse pacientë të tillë janë të mërzitur  me të, ajo tha se ata janë të mërzitur me situatën, duke marrë parasysh se nuk besojnë që ekziston COVID-19, shpesh shfryjnë mllefin te personeli mjekësor.

“Është në rregull. Mund ta përballojmë këtë. Për këtë jemi këtu. Problemi qëndron te masa, kur tentoni t’i kuptoni njerëzit. Shpesh i pyes nëse duan që t’i telefonoj grave, fëmijëve apo familjarëve tjerë, por ata refuzojnë sepse besojnë se do të jetë gjithçka në rregull me ta. Dhe në momentin që i kontrolloj përqindjen e oksigjenit në gjak, e kuptoj se është shumë e ulët dhe e di cilat mund të jenë pasojat, mërzitem, acarohem shumë. Të gjitha këto i pranoj sepse e di që sërish do të ballafaqohem me situata të tilla”, ka shtuar infermierja.

Ndërkaq gazetarja Alisin Kamerota e pyeti se çfarë mendojnë pacientët – nga çfarë janë të sëmurë?

“Mendoj se kërkojnë shpëtim kudo. Disa thonë që është  një dëmtim i mushkërive. Madje disa më kanë thënë se vuajnë nga mushkëritë e jo nga koronavirusi. Unë u them se janë të infektuar me COVID-19, por ata nuk besojnë edhe pse kanë testuar pozitivë. Natyrisht, jo të gjithë veprojnë kështu, kemi shumë pacientë që janë falënderues dhe e kuptojnë situatën. Dua që si infermiere të kujtoj momente pozitive, që i kemi ndihmuar dhe u kemi shpëtuar jetën qytetarëve, e jo situata të tilla”, ka shtuar Doering.

“Shpesh mendoj se jam pjesë e ndonjë filmi horror që nuk paska fund dhe që vazhdimisht kthehet në fillimet e tij.  Është kaq e trishtë sepse kështu po ndihen të gjithë mjekët dhe infermieret në këtë shtet. Njerëzit po sëmuren në të njëjtën mënyrë, i shërojmë në të njëjtën mënyrë, vdesin në të njëjtin mënyrë dhe gjithçka fillon sërish nga fillimi. Jam falënderuese për gjithçka që kam bërë dhe që po ndihmoj njerëzit”, përfundoi infermierja. s.ba/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!