Nga Dr.Jorida Djamandi
Hipertensioni nënkupton presion të lartë të gjakut dhe është një sëmundje shumë e përhapur në popullatë. Sipas statistikave Europiane vlerësohet që kjo sëmundje prek rreth 30-45% të popullatës së rritur.
Presioni i lartë i gjakut (Hipertensioni), ndodh kur presioni i gjakut rritet në nivele jo të shëndetshme duke u kthyer në kërcënim mjaft serioz për shëndetin sidomos nëse nuk diagnostikohet & trajtohet në kohë. Kjo lidhet me faktin që jo pak herë individë që kanë hipertension injorojnë praninë e tij, kjo sepse nuk kanë simptoma të dukshme, duke bërë që sëmundja të avancojë dhe përkeqësohet. Kjo është edhe arsyeja pse Hipertensioni ndryshe njihet edhe si “vrasësi i heshtur”.
Hipertensioni i patrajtuar mund të jetë shkaktar i një sërë patologjish të tjera, të tilla si; sëmundjet kardiovaskulare, stroke, demencë etj.
Diagnostikimi dhe sidomos trajtimi në kohë i Hipertensionit merr akoma më shumë vlerë në kohët e pandemisë së COVID- 19 që po përjetojmë ku, bazuar në disa studime të fundit është provuar që personat që kanë Hipertension të patrajtuar kanë probabilitet më të lartë jo vetëm për t’u prekur nga Covid-19 por dhe për të shfaqur komplikacione mjaft të rënda krahasuar me kategorinë e pacientëve të cilët e menaxhojnë hipertensionin nëpërmjet medikamenteve.
Cilat janë simptomat e Hipertensionit?
Hipertensioni siç theksuam edhe më lart në përgjithësi është sëmundje e heshtur, pra shumë individë nuk do të përjetojnë asnjë lloj simptome. Mund të kalojnë edhe vite që sëmundja të arrijë në nivele të rënda aq sa simptomat të ndihen dhe të bëhen të qarta.
Simptomat e Hipertensionit mund të përfshijnë:
- Dhimbje koke
- Vështirësi në frymëmarrje
- Gjakderdhje nga hunda
- Skuqje të lëkurës
- Marramendje
- Dhimbje gjoksi
- Ndryshime në shikim
- Gjak në urinë
Këshilla si të menaxhoni Hipertensionin
Në rast se jeni diagnostikuar me Hipertension, hapi i parë që duhet të duhet të ndiqni është menaxhimi i tij dhe kjo arrihet sigurisht duke ndjekur planin e trajtimit të rekomanduar nga mjeku. Ja disa këshilla mbi ndryshimet që rekomandohen të aplikohen në stilin e jetesës për menaxhimin e hipertensionit:
- Përzgjidhni një dietë ushqimore të shëndetshme – kujdesuni që dieta juaj të jetë e pasur me fruta, perime, fara & arrorë si dhe të konsumoni ushqime me përmbajtje të ulët yndryrnash
- Minimizoni sasinë e kripës – rekomandohet të mos tejkaloni sasinë ditore prej 2300 mg. Madje, sasia e rekomanduar ditore për pjesën më të madhe të adultëve është 1500 mg.
- Menaxhoni peshën – Në rastet kur jeni mbipeshë, rekomandohet të humbni disa nga kilogramët e tepërt pasi ju ndihmon për të reduktuar nivelin e presionit të gjakut
- Ushtroni aktivitet fizik – Aktiviteti fizik periodik ndihmon për të reduktuar nivelin e presionit të gjakut si dhe ndihmon në menaxhimin e stresit
- Menaxhoni stresin – Stresi është ndër shkaktarët kryesorë që ndikon në rritjen e vlerave të presionit të gjakut, prandaj rekomandohet të përpiqeni të menaxhoni stresin qoftë edhe nëpërmjet teknikave të rregullimit të frymëmarrjes apo meditimit.
- Evitoni konsumin e alkolit – Konsumi i alkolit ndikon drejtpërdrejtë në rritjen e presionit arterial prandaj përpiquni të evitoni apo minimozoni konsumin e tij
- Evitoni duhapirjen – Duhanpirja shkakton krijimin e pllakëzave të cilat mbivendosen në enët e gjakut duke i ngushtuar ato dhe për pasojë vështirësohet qarkullimi i gjakut duke rezultuar në hipertension.
Pra, aplikimi i një stili jetese të shëndetshëm kombinuar me trajtimin medikamentoz, janë faktorët kryesorë të menaxhimit të Hipertensionit si dhe të parandalimit të pasojave që mund të shkaktojë ky i fundit.
Po kështu vlen të nënvizojmë edhe një herë faktin që në rastet kur individë të caktuar janë të prekur nga COVID-19 dhe në të njëjtën kohë marrin edhe mjekim për Hipertensionin është shumë e rëndësishme që të mos aplikojnë asnjë ndryshim në planin e trajtimit të tyre medikamentoz pa u konsultuar më parë me mjekun e tyre specialist.
Kardiologe / Spitali Hygeia
Kontakto: 04 23 90 000