Kroacia është favorite ndaj Danimarkës në duelin e mbrëmjes në Botëror

schedule16:48 - 1 Korrik, 2018

schedule 16:48 - 1 Korrik, 2018

Kroacia është favorite ndaj Danimarkës në ndeshjen e sotme në orën 20:00. Skuadra ballkanase pritet të kalojë në çerekfinale.

Do të ketë një të papritur në stadiumin e Nizhni Novgorodit. Tifozët kroatë po përgatisin flamurin gjigand, 60 metra të gjatë, ndërsa skuadra e tyre bëhet gati për Danimarkën.

Një duel kulturash, me Kroacinë ndër skuadrat më spektakolare në Kupën e Botës deri tani, dhe me Danimarkën, tepër pragmatiste.

Parashikmet janë të gjitha në favor të ballkanasve, që ata të kalojnë në çerekfinale, por çfarë thonë vetë protagonistët?

Daliç: “Kemi shumë respekt për Danimarkën. Jo më kot nuk ka humbur prej 18 ndeshjesh me radhë, pasi është shumë e disiplinuar dhe punëtore. Di të përshtatet me çdo ndeshje. Gjithsesi, çdo gjë është në dorën tonë. Duhet të bëjmë lojën e zakonshme, por sidomos të kemi shumë durim”.

Ja edhe lojtari më i mirë i ekipit, Luka Modriç.

Modriç: “Natyrisht është ndeshje vendimtare për ne. U paraqitëm shkëlqyeshëm në grup, por le ta harrojmë atë që ndodhi, dhe le të përqëndrohemi tek ndeshja e radhës. Duhet të luajmë po ashtu edhe ndaj Danimarkës”.

Tifozët danezë shpresojnë që ekipi i tyre të jetë si skuadra e vitit 1986, e mbiquajtur “dinamiti”. Trajneri norvegjez, Hareide, shpreson të jetë kështu, edhe pse Danimarka ka qenë e shëmtuar.

Hareide: “Ka shumë tension në skuadër, pasi shumica e lojtarëve tanë nuk kanë luajtur më parë në Kupën e Botës. Gjithsesi, kjo ndeshje do të jetë ndryshe. Ne do të rrezikojmë sepse duam që të fitojmë. Do të jemi pozitive dhe sulmues”. /abcnews.al