Një 28-vjeçare shtatzënë ka ndërruar jetë mbrëmjen e djeshme për shkak të komplikacioneve të shkaktuara nga koronavirusi.
Emanuela Dalipi nga Tirana ishte shtruar prej tre ditësh në shërbimin intensiv të Infektivit për shkak të koronavirusit, por nuk ka mundur t’ia dalë.
Mësohet se 28-vjeçarja ishte në muajin e pestë të shtatëzanisë në njërin prej reparteve të kirurgjisë teksa mjekët përpiqeshin t’i jepnin ndihmë pas hemorragjisë së brendshme që kishte pësuar.
Kjo është hera e parë që ndërron jetë një grua shtatzënë e infektuar me koronavirus. Megjithatë, mbetet për tu bërë një ekspertizë më e plotë nga mjekët për të zbuluar komplikacionin që i shkaktoi vdekjen 28-vjeçares.
Shqipëria është duke u përballur me valën e dytë të koronavirusit duke shënuar një numër të madh të prekurish dhe viktimash çdo ditë.
Vetëm një ditë më parë, u konstatuan 602 raste të reja pozitive si edhe 8 të vdekur. /abcnews.al