Ish-kapiteni karikon kuqezinjtë, Lala: Jepni gjithçka, jemi më lart se Bjellorusia

schedule18:58 - 16 Nëntor, 2020

schedule 18:58 - 16 Nëntor, 2020

Fitorja 3-1 me Kazakistani është lënë pas krahëve dhe Shqipëria është përqendruar të takimi i radhës dhe i fundit në Nations League, ai ndaj Bjellorusisë që luhet të mërkurën në “Air Albania” (18 nëntor, ora 16:00).

Altin Lala, ish-mesfushori i palodhur dhe kapiteni i kombëtares kuqezi, ka analizuar triumfin e fundit në prononcimin e dhënë për fshf.org, teksa karikon djemtë e Edi Rejës për “finalen” ndaj bjellorusëve, të cilët i mposhtëm 0-2 në sfidën e parë.

FITORJA – “Ndeshja me Kazakistanin, për mendimin tim, ishte një ndeshje jashtëzakonisht e mirë për vetë faktin që edhe skuadra kishte një farë presioni për ta fituar këtë sfidë, por dhe ndeshjen e ardhshme ndaj Bjellorusisë, që është dueli më i rëndësishëm i këtij grupi, për të zënë vendin e parë në renditje”.

ANALIZA – “Ishte ndeshje shumë e fortë, me shumë duele, mendoj që djemtë u paraqitën mjaft mirë sidomos në pjesën e parë, ku shënuan edhe dy gola. Pjesa e dytë natyrisht ishte po ashtu e vështirë, me shumë dyluftime, e kontrolluam sërish lojën dhe mendoj se ishte një fitore e merituar”.

BJELLORUSIA – “Sigurisht ndeshja me Bjellorusinë është vendimtare. Edhe bjellorusët luajnë pak a shumë si Kazakistani, ndaj shpresoj që djemtë të jenë të frymëzuar, aq më tepër dhe shumë të motivuar për të zënë vendin e parë në grup. Uroj që ndeshjen ta fitojmë”.

MESAZHI – “Mesazhi im është që secili nga ata djem që do të jetë në fushë dhe jashtë fushe, të japë gjithçka për ta fituar këtë sfidë të fundit. Duhet të futemi me seriozitet në këtë sfidë dhe mendoj që nëse çdo lojtar jep maksimumin e vet, unë jam i bindur që ne kemi kualitetet e duhura për ta fituar edhe këtë ndeshje. Suksese dhe me një fitore!”. /abcnews.al