Impakti i politikave të Trump/ Obama mesazh demokratëve: Situata emergjente

schedule20:57 - 29 Qershor, 2018

schedule 20:57 - 29 Qershor, 2018

Ish-presidenti Barack Obama u ka dhënë një mesazh të prerë demokratëve që ankohen për politikat e ndjekura nga administrata Trump. Presidenti i parë me ngjyrë i Shteteve të Bashkuara u ka bërë thirrje ligjvënësve që të mos qahen, por të veprojnë pasi vetëm ankesat nuk mjaftojnë.

Ish-presidenti amerikan Barack Obama është rishfaqur në qarqet politike, konkretisht në një event të organizuar nga demokratët për mbledhje fondesh. Larg nga petku i kreut të shtetit, Obama është shfaqur i shpenguar, por edhe shumë i drejtë me partinë që tashmë ndodhet në opozitë. Duke iu dhënë përgjigje shqetësimeve të tyre për qeverisjen e Donald Trump dhe impaktin e saj tek Amerika dhe amerikanët, Obama është shprehur: “Mjaft u qatë, duhet të bëni diçka më shumë sesa të qaheni”. Ka lënë jo pak përshtypje deklarata e ish-presidentit, që këtë herë ka qenë shumë ndryshe nga ato të mëhershmet, të mbushura me entuziazëm dhe optimizëm e që 10 vjet më parë e çuan në Shtëpinë e Bardhë. “Nëse ajo që po bëni ju nuk kërkon mund dhe sakrifica, atëherë është e qartë se nuk po bëni sa duhet”, ka thënë Obama. Ai ka përsëritur se ankesat ndaj presidencës së Trump nuk mjaftojnë dhe u ka bërë thirrje ligjvënësve të djathtë që të mos varin shpresat vetëm tek zgjedhjet politike të nëntorit. “Po të isha në vendin tuaj, do të sforcohesha më shumë”, ka vijuar Obama. Edhe pse në asnjë moment nuk e ka përmendur emrin e Trump, ish-presidenti i parë me ngjyrë i Shteteve të Bashkuara ka nënvizuar se situata në vend është emergjente. /acbnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!