Ish-deputeti Kastriot Islami rreth orës 21:00 të mbrëmjes së sotme ka dalë nga komisariati nr. 2 në Tiranë ku u mbajt disa orë, pasi u kap nga zona e liqenit artificial duke lëvizur pa maskë mbrojtëse. E ndërsa në komisariat u fut pa maskë, në momentin që doli, Islami e kishte vendosur, që sipas burimeve ia kanë dhënë efektivët në ambientet e komisariatit.
Por si ndodhi ngjarja?
Pasditen e sotme, kohë kur ish-deputeti demokrat kishte dalë nga liqeni artificial për aktivitet fizik, sipas tij, është ndaluar nga policia, që i ka kërkuar shpjegime përse nuk e kishte vendosur barrrierën mbrojtëse për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Islami është përgjigjur duke u thënë se akti normativ e përcakton se në momentin që del për aktivitetet fizik nuk është e detyrueshme mbajtja e maskës. Më tej, ish-deputeti demokrat e ka cilësuar tendencioz veprimin e efektivëve ndaj figurës së tij duke shkaktuar më pas një përplasje verbale.
Efektivët pretendojnë se Islami i ka ofenduar dhe kundërshtuar, duke njoftuar më pas makinën për ta shoqëruar në komisariatin nr. 2. “Edhe nëse do ta kisha kartën e identitetit, nuk do ta jepja për mënyrën si m’u drejtuat” mësohet nga burime nga policia, sipas efektivëve, që Islami iu drejtua.
https://youtu.be/_4fLp14fB9A
Por ky është vetëm versioni i efektivëve që e shoqëruan, pasi Islami nuk pranoi që të jepte versionin e tij në momentin që doli nga komisariati duke u larguar pa folur për mediat. Ish-deputeti mori masë administrative 3 mijë lekë të reja për mos mbajtjen e maskës dhe u procedua për mosbindje dhe fyerje të punonjësve të policisë.
Partia Demokratike ka reaguar pas shoqërimit në komisariat të ish-deputetit të PD-së, Kastriot Islami, që u kap pa maskë në zonën e liqenit artificial mbrëmjen e sotme. “Hakmarres i vogel e i neveritshem. Ja per cfare e perdor policine…” shkruan Edi Paloka, duke akuzuar Edi Ramën.
Reagimi nuk ka munguar as nga LSI-ja. N/ kryetari i kësaj partie, Petrit Vasili shkruan “Këta janë kafshë” referuar shumicës qeverisëse. / db/Abcnews.al