Burgosja e letërsisë në një mbrëmje poetike, Anagnosti: Të bëhet më shumë për këta autorë

schedule18:29 - 13 Nëntor, 2020

schedule 18:29 - 13 Nëntor, 2020

Diktatura i burgosi që në 1948-ën Vargjet e ndaluara të Fishtës, Camajt, Asllanit e Konicës.

Këto poezi u jetësuan në  mbrëmjen poetike nën interpretimin e artistëve të tre brezave, si Roza Anagnosti, Luiza Xhuvani, Ndriçim Xhepa e Kristian Koroveshi

Roza Anagnosti e cilëson domosdoshmëri transmetimin e magjisë së këtyre vargjeve te brezi i ri.

“Ishin ata autorë të mrekullueshëm dhe është detyrë e të gjithë institucioneve për t’i nxjerrë dhe për t’i zbuluar se ka kaq shumë thesare të jashtëzakonshme”, u shpreh ajo.

Ndriçim Xhepa e cilësoi shumë të veçantë  bashkëpunimin me dy damat e skenës dhe nevojën për më shumë mbrëmje të tilla poetike në këtë kohë të vështirë.

“Unë nuk kam qenë shumë i angazhuar me vargjet dhe poezinë, por është kënaqësi që edhe në fushën e poezisë bëhem bashkë me zonjat”, shprehet ai.

Rikthimin pranë publikut në këtë “sofër poetike” të organizuar nga regjisori Kristian Koroveshi, aktorja Roza Anagnosti e konsideroi si një nevojë të brendshme dhe detyrim ndaj publikut dhe këtyre autorëve të mohuar.

Gjithnjë në krah ajo ka bashkëshortin regjisorin e famshëm Dhimiter Anagnosti, të cilin e cilëson shans.

“E doja e kam shans”, shprehet ajo.

Por Anagnosti ka ketë mendim për bashkëshorten

“Roza kur flet është perfektë jo më kur reciton. Kjo është fantastike”, shprehet ai.

“Burgosja e Letërsisë” erdhi edhe si bashkëpunim me  Biblioteka Kombëtare në këtë vit jubilar./abcnews.al/