Partia Demokratike ka replikuar duke i kthyer përgjigje Edi Ramës, i cili nga Fieri mesditën e sotme gjatë një takimi në kuadër të nismës “Deputeti që duam” “thumboi” liderin demokrat Lulzim Basha lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve të forcës kryesore në opozitë për kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 25 prillit.
“Socialistëve u ofron për deputetë trafikantë droge, trafikantë vajzash, vrasës, hajdutë; për ministra u nxjerr disa të korruptuar, klientë të vetët, shoqet e gruas, burrat e ish-grave të veta e plot anonimë të tjerë personalë që nuk dinë ku bie dera e PS; për drejtorë u çon një çetë hajdutësh e injorantësh.
Që kur ka ardhur në pushtet, ka zbatuar këtë model fyes për socialistët, duke mos i përfshirë kurrë ato në vendimmarrjen e partisë së tyre. Kjo është arsyeja pse socialistët, si qindra e mijëra shqiptarë të tjerë të të gjitha bindjeve politike, nuk do ta votojnë Edi Ramën.
Socialistët nuk janë dele që një mashtrues dhe besëprerë si Edi Rama t’i marrë ata zvarrë, duke i sakrifikuar që ai me bandën e vet të hajdutëve të mbushin xhepat. Socialistët e ndershëm e duan Shqipërinë dhe zhvillimin e vendit, prandaj më 25 Prill do ta refuzojnë masivisht modelin e Komitetit të Hajdutëve të Rilindur” shkruan Gazment Bardhi.
Edi Rama u shpreh se Lulzim Basha fshihet pas një komiteti për të hequr qafe figurat kryesore të saj, referuar largimeve nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidaturave./ db/Abcnews.al