Për shkak të situatës së rënduar nga përhapja e koronavirusit në vend pritet që dhe spitalet rajonale të kenë një pavion të posaçëm përsa i përket trajtimit të pacientëve të infektuar.
Gazetari Elton Nika raporton për Abc se tashmë në Vlorë duket se është gati pavioni me 80 shtretër dhe hapja e tij do të bëhet me një urdhër nga ministria në rast të nevojës për trajtimin e pacientëve të sëmurë me Covid.
Sipas tij ky do të jetë një pavion që do të funksionojë vetëm për pacientët me simptoma të lehta, ndërsa për pacientët Covid që do të jenë në gjendje të rëndë do të zhvendosen drejt Tiranës për një mjekim më të specializuar.
Gjithashtu në Lezhë, stafi mjekësor duket se po bëhet gati për pritjen e trajtimit të pacientëve me Covid. Gazetari Gjergj Figuri raporton për ABC se pritet që të bëhet gati një pavion me 40 shtretër, por shqetësimi i stafit të spitalit janë ambjentet e pakta në këtë institucion dhe mungesa e stafit të duhur mjekësor.
Ndërkohë në Durrës mësohet se deri më tani në spital po trajtohen 15 pacientë të cilët kanë shfaqur simptoma të lehta ndërsa pjesa tjetër janë nisur drejt Tiranës. e.su./abcnews.al