Në Patos s’ka oksigjen për të sëmurët me covid, mjekja: Shpesh bëjmë rolin e psikologut

schedule20:53 - 12 Nëntor, 2020

schedule 20:53 - 12 Nëntor, 2020

Ndryshe nga kryeqyteti që ka strukturat dhe stafin mjekësor më të specializuar për COVID-19, në rrethe situata shfaqet më problematike. Këtu jemi në Patos, një nga qytetet më të varfra të qarkut të Fierit.

Qytetarët e infektuar pothuajse e kanë të pamundur të përballojnë faturën e medikamenteve ndërsa bombolat e oksigjenit përpiqen ti gjejnë vetëm në Tiranë.

“Vështirësia që hasin familjarët është sigurimi i oksigjenit, përgjithësisht pacientët që dalin nga spitali e kanë të pamundur të sigurojnë aparate. Matësin e oksigjenit ua marrin mjekëve pediatër që nuk ju duhet shumë ja u japin pacientëve deri sa shërohen.

Mjekja e familjes Albiona Lamaj, thotë se tamponi nuk është i rëndësishëm kur virusi është përhapur në masë. Në këto kushte, mjekët përqendrohen tek këshillat.

“Tamponi duhet bërë, por në pjesën e nëntorit rastet e të dyshuarve janë shumë. E ne na mbetet ti themi që tamponi nuk të shëron apo ndalon përhapjen. Me rëndësi është respektimi i karantinës, pra të mbrohen familjarët”, u shpreh ajo.

Në qarkun e dytë më të madh, në Fier, punojnë vetëm 4 doktorë pneumologë. Mjekët e familjes janë të detyruar që shpesh të bëjnë punën e tyre.

Por jo vetëm kaq, në shumë raste kthehen në psikologë për të sëmurët me Covid.

“Ne trajtojmë dhe anën psikologjike të pacientëve edhe pse nuk e kemi për detyrë. Telefonatat i kemi orar pa orar, se e kuptojmë gjendjen psikologjike të tyre dhe familjarëve e flasim qoftë për ti qetësuar. Një pacient më tha prisja orën 10 të komunikoja me ty. Pjesa emocionale s’duhet harruar. Kurojmë simptomat, por duhet parë edhe pjesa psikologjike. Mjeku i familjes është personi kyç edhe për gjendjen psikologjike të pacientit”, shprehet ajo.

Në këtë të përditshmëri të vrullshme, mjekja e ka një shpërblim.

“Në zyrën time është një lule që ma kanë sjellë burrë e grua të moshuar. Bashkëshortët u infektuan të dy, zonja ka pasur edhe kancer të gjirit dhe u negativizua pas më shumë se një muaj por e respektoi shumë karantinën. Kur u shëruan më sollën orkidenë dhe këtë pusullën e lexoj çdo mëngjes”, tregon ajo./abcnews.al/