Si të kemi një trup të shëndetshëm dhe imunitet të fortë? Ishte kjo tema e bisedës në programin “ABC e Pasdites” me moderatorin Ermal Peçi ku të pranishëm ishin dietologia Anila Kalleshi dhe instruktorja Adela Osmani.
Të dyja mikeshat specialiste në fushat përkatëse vunë theksin në atë çka shiptarët bëjnë gabim në regjimin e tyre ushqimor.
Teksa Ermali i pyet për vaktin mitik “pilaf me mish”, dietologia Kalleshi menjëherë tha se ishte e gabuar pasi proteinat dhe karbohidratet është mirë të shoqërohen me perime.

“Pilafi me mish ka qenë përherë ne kuzhinen tradicionale shqiptare. Një përzierje e tmerrshme. Kurrë nuk duhet bërë kombinim i tillë, karbohidrate me proteina. Gjithmonë karbohidratet duhen konsumuar me perime, gjithashtu edhe proteinat”.
Gjithashtu edhe Adela Osmani tha se instruktorët e palestrave bëjnë gabim me personat që drejtojnë në stërvitje kur ju sugjerojnë pilaf me fileto pule. Sipas saj, persona të tillë kanë një qëllim dhe do bëjnë çka u thuhet pa e studjuar më parë.
“Pilaf me fileto pule është përsëri e gabuar, ndonjëherë instruktorët e palestrave bëjnë shumë gabime tek njerëzit që trajnojnë”.
“Sa janë ndërgjegjësuar në përdorimin e tërshërës?”, pyet Ermali dietologen. Me sa duket, sipas saj, tërshëra është një tjetër pikë ku shqiptarët gabohen, jo se e zgjedhin si produkt ne regjimin e tyre, por sepse e perdorin në sasi më të madhe se duhet.
“Shumë shpesh më bëjnë pyetje “nuk po arrij të dobësohem, ha një mëngjes shumë të shëndetshëm, një grusht me tërshërë”. Një grusht me tërshërë është shumë pasi duhet të lëvizësh jashtëzakonisht shumë që ta tresësh”.

