Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur sot në takim një delegacion nga Parlamenti i Zvicrës, i kryesuar nga Presidentja e Parlamentit, Isabelle Moret.
Hoti dhe Moret biseduan për zhvillimet e fundit, me theks në menaxhimin e pandemisë Covid-19, procesin e dialogut Kosovë-Serbi si dhe luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit.
Sa i përket pandemisë me Covid-19, Kryeministri Hoti e njoftoi Moret me gjendjen aktuale dhe me masat e reja që janë propozuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, konform gjendjes pandemike në vend.
Kryeministri Hoti, theksoi se dialogu Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, nuk ka alternativë dhe se pezullimi i këtij procesi nuk i shërben interesave shtetërore të Republikës së Kosovës. Ai ritheksoi se Kosova me Serbinë në Bruksel po dialogojnë për arritjen e marrëveshjes finale, me njohje reciproke, në kufijtë aktual.
Sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, Kryeministri Hoti, e njoftoi delegacionin nga Parlamenti Zviceran me hapat që janë duke u ndërmarrë për riorganizimin e Policisë së Kosovës, me të cilat synohet ngritja e efikasitetit në punë. Por duke insistuar gjithmonë në respektimin e ndarjes së pushteteve.
Temë e takimit ishte edhe diaspora e Kosovës që jeton në Zvicër dhe mundësitë e përfshirjes së tyre në projekte zhvillimore e investime kapitale në vendin tonë.
Kryeministri Hoti dhe Presidentja Moret u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit bilateral në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë