“Panairi i Librit online”, Petrit Ymeri: Kemi nevojë për një rini të lexuar

schedule20:55 - 10 Nëntor, 2020

schedule 20:55 - 10 Nëntor, 2020

Për shkak të COVID-19 aktivitetet kulturore tashmë janë të mbyllura.

Për shkak të situatës së pandemisë Ministria e Shëndetësisë njoftoi pezullimin e “Panairit të Librit”.

I ftuar në ABC, kreu i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri foli për aktivitetet që pritet të zhvillohen në mungesë të “Panairit”.

“Këtë vit panairi do të na mungojë për shkak të pandemisë. Por ne menduam që lexuesi ynë ka nevojë për librin dhe do të vijë në forma të ndryshme, në online.

Gjatë bisedës në studio me gazetarin Endri Xhafo ai sqaroi se të gjitha rrjetet që shesin libra online janë aktivizuar në bashkëpunim me shtëpitë botuese për të propozuar libra me çmimin e Panairit.

“T’i ofrojmë këtyre rrjeteve online çmime shumë favorizuese. Janë disa rrjete duke filluar nga libraria “Adrion”, “Bukinist” dhe shumë librari të tjera që janë në Tiranë e deri në Prishtinë. Fillimisht aktivitetet duhet të shihen në faqen e Shoqatës së Botuesve, e “Bukinist” dhe faqja e “Adrion”.

Nga dita e enjte, kur ne kemi hapjen zyrtare të Panairit të Librit në atriumin e Muzeut Kombëtar. Të premten kemi një aktivitet shumë interesant për probleme të përkthimit, po ashtu të shtunën do të zhvillohet edhe një seminar dhe të dielën që është edhe dita e  fundit do të jepen edhe çmimet”, tha Ymeri.

Po ashtu ai shtoi se  “Panairi” këtë vit është më i kushtueshëm.

“Ne kemi nevojë të lexojmë, ne kemi nevojë për një rini të lexuar, ne duam që t’i shërbejmë leximit. Në muajt e parë të mbylljes ne patëm një rritje të shitjes së librave. Po ashtu gjatë ditëve të izolimit i kanë rekomanduar shumë libra njëri-tjetrit. Kemi rënë dakord që propozimet tona për çmime më të ulëta për libraritë online të jetë deri në fund të vitit”, tha ai./abcnews.al/