I ftuar në studion e ABC me Juli Xhokaxhi ishte Olindo Shehu, përfaqësues i “Deloitte” Shqipëri- Kosovë. Shehu foli për situatën ekonomike, ndërsa përballemi prej muajsh me pandeminë e Covid-19.
Mes të tjerash, ai tha se ekonomia globale po transformohet, ndërsa vë theksin te rishikimi i strategjisë që ka të bëjë me masat anti-Covid.
Shehu thotë po ashtu se në këtë periudhë të vështirë një rol të rëndësishëm luajti teknologjia që i erdhi në ndihmë biznesit.
“Kjo pandemi na bëri të kuptojmë që investimet që shumë kompani kanë bërë në fushën e teknologjisë që para një dekade kanë rezultuar pozitive sepse shumë kompani vazhduan biznesin sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Nuk mendoj se po doli vaksina do të shpëtojmë. Do të doja të fokusohesha te kufijtë gjeografikë për të bërë biznes. Kufiri gjeografik i Shqipërisë nuk është më limit për të bërë biznes. Sot pandemia tregoi që këtë aset mund ta shfrytëzojmë edhe jashtë territorit shqiptar”, tha ai.
Më tej, ai shtoi se kriza të gjithëve do të na vërë në vështirësi, por fokusi ndoshta do të duhet të drejtihet tek një sektor tjetër i pazhvilluar ende në vend, bujqësia.
“Unë mendoj që kriza do të na vërë të gjithëve në vështirësi. Por nuk duhet të humbasin fokusin që është edhe ndonjë vizioni më afatgjatë. Sektori i bujqësisë është ende i pazhvilluar. Me ndihmë nga shteti mund të jetë një nga ata sektorë që mund të bëhet shtylla kryesore e ekonomisë shqiptare. Kemi turizmin dhe mendoj se ka shumë për të bërë ende.
Gjëja më kritike është që të përballemi me krizën shëndetësore në mënyrën më të mundshme. Kjo është më bazikja. Patjetër që do të rritet numri, do të rritet niveli i papunësisë. Ti ndihmojmë këto shtresa në nevojë deri sa të kalojmë krizën shëndetësore”, deklaroi Shehu. g.v/abcnews.al