VIDEO/ Spektakël në “Klassiker”, Bayerni konfirmon kush dominon Bundesligën

schedule20:30 - 7 Nëntor, 2020

schedule 20:30 - 7 Nëntor, 2020

Bayern Munchen shënoi tre herë në portën e Dortmund, siguroi tre pikë pas triumfit 2-3 dhe kryeson i vetëm Bundesligën me 18 pikë, dy më shumë se Leipzig dhe tre sipër kundërshtarëve të sotëm.

Klasikja e futbollit gjerman dhuroi emocione dhe gola të bukur, por në fund festuan djemtë e Hans-Dieter Flick. Marco Reus zhbllokoi shifrat në minutën e fundit të pjesës së parë, teksa Lewandowskit iu anulua një gol për pozicion të parregullt minuta më parë.

Golat dhe rastet e DORTMUND-BAYERN MUNCHEN

Kapiteni i verdhezinjtë mori një asist nga portugezi Guerreiro dhe mposhti Neuer me një goditje të menjëhershme. Festa e ekipit vendas zgjati vetëm 4 minuta, pasi David Alaba barazoi takimin pas një ekzekutimi perfekt nga goditja e dënimit.

Bayerni e mbylli me gol fraksionin e parë të ndeshjes dhe e nisi me një të tillë të dytin. Minuta e 48-të, krosim i Hernandez nga krahu i majtë dhe zhytje fantastike me kokë e Robert Lewandowskit. Miqtë shënuan sërish dhjetë minuta para fundit.

Kundërsulm perfekt dhe finalizim i bukur i Leroy Sane, i cili është përshtatur për mrekulli në ekipin e ri. Dortmundi nuk u dorëzua dhe shkurtoi rezultatin tre minuta më vonë. Erling Haaland nuk mund të rrinte pa shënuar dhe ia doli të dërgoje topin në rrjetë.

Super asist i Guerreiros (i dyti në këtë takim), shkëputje e bukur e bomberit norvegjez, driblim i Neuer dhe topi në rrjetë. Lewa shënoi një tjetër gol në shtesa, por teknologjia VAR ndërhyri sërish dhe anuloi golin e sulmuesit polak.

Përfundimisht 2-3, me Bayerni që ia doli të siguronte triumfin në transfertën më të vështirë të kampionatit, duke konfirmuar se kush komandon në futbollin gjerman, teksa e vetmja gjë negative për bavarezët ishte dëmtimi i Joshua Kimmich, i cili u largua duke çaluar në minutën e 36-të. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!