Në Arabinë Saudite është shfuqizuar më në fund ligji që u ndalonte grave të uleshin në timon. Falë këtij zhvillimi historik pritet që në muajt e ardhshëm rreth 2 mijë gra të pajisen me patentë.
E shtuna ka shënuar ditën e fundit të ligjit të Arabisë Saudite që u ndalonte grave drejtimin e automjeteve. Bëhet fjalë për një zhvillim historik, duke pasur parasysh faktin se Arabia kishte mbetur i vetmi vend në botë që nuk i lejonte gratë në timon e ku kryetarët e familjeve paguanin shoferë privatë për anëtaret femra.
Lëvizja e fundit e mbretërisë vjen pas një fushate të gjatë të aktivisteve për të drejtat e njeriut, 8 prej të cilave kanë përfunduar në burg dhe rrezikojnë të marrin dënime të gjata. Amnesty International, që ka bërë të ditur lajmin, u ka bërë thirrje autoriteteve arabe për reforma të thella, duke qenë se në vend gratë mbeten ende një kategori e nënshtruar ndaj kontrollit mashkullor.
Në vitin 1990, një numër i konsiderueshëm femrash u arrestuan në Riad për shkak se morën në duart e tyre timonin, por pas vitit 2011 nisi revolucioni, me shumë gra që filluan të filmonin veten duke drejtuar automjetin. Në Maj të këtij viti, 10 gra u bënë të parat që u pajisën me patentë arabe, ndërsa pritet që numri i tyre në muajt e ardhshëm të arrijë deri në 2.000./abcnews.al