Pas arrestimit të kupolës së UÇK-së, Gjykata e Hagës nxori akuzat, mes të tjerash për vrasjen e kundërshtarëve politikë, përfshirë personat e lidhur me LDK-në në mes të vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999 në 17 qendra ndalimi.
“Ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: (i) serbë, romë dhe ashkalinj; (ii) katolikë; (iii) civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë; (iv) shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; (v) shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe (vi) individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së” thotë Gjykata Speciale.
Në akuzën e publikuar nga Haga doli edhe emri i Fatmir Limajt, ndërsa kryetari i “Nismës” reagoi me shpejtësi pasi u përmend. “Unë në Hagë kur jam akuzuar, janë lexuar 50-60 emra të ndryshëm të pjesëtarëve të ndryshëm të UÇK’së. Isha në rrugë, më thirrën në telefon e më thanë se ke aktakuzë nga Specialja”, ka thënë Limaj te T7 duke e mohuar. Sipas akuzës së Hagës këto krime janë kryer në disa vende në Kosovë si edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”)./ db/Abcnews.al