“Ka ikur koha e gjithollogut”, një kampion bote ndihmon hapur FSHF-në

schedule16:28 - 5 Nëntor, 2020

schedule 16:28 - 5 Nëntor, 2020

Çdo klubi i Superiores dhe Kategorisë së Parë duhet të ketë pjesë të stafit teknik edhe përgatitësin atletik. FSHF për këtë po organizon edhe kurse dhe në fund personat që marrin pjesë pajisen edhe me licencën përkatëse. Pak kohë më parë presidenti i FSHF, Armand Duka, zhvilloi edhe një takim me rektorin e Universitetit të Sporteve, Agron Kasa. Një arsye ishte edhe nxjerrja e përgatitësve atletikë nga kjo shkollë.

Në ndihmë FSHF-së i vjen edhe Marcello Lipi, kampion bote me Italinë dhe fitues i shumë trofeve në Itali dhe në arenën ndërkombëtare me klube. Ai e ka mbyllur me trajningun tani dhe përmes një videoje u bën thirrje atyre që merren me sport në vendin tonë, që ta shohin si profesion edhe atë të përgatitësit atletik.

“Roli i përgatitësit atletik është shumë i rëndësishëm në sport në përgjithësi, por mbi të gjitha në futboll. Është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi mes trajnerit dhe përgatitësit atletik, por mbi të gjitha është e rëndësishme, kultura e përgatitësit atletik, niveli i njohurive që ka. Sot jetojmë në epokën e specializimit, nuk ekziston më gjithollogu, ai që bën pak nga të gjitha.

Sot duhet kërkuar më e mira në çdo sektor dhe për këtë arsye e shoh me nota pozitive krijimin e një masteri për krijimin e përgatitësve atletikë dhe për të vënë në dispozicion më të mirën në këtë sektor për çdo klub. E përsëri bashkëpunimi mes trajnerit dhe përgatitësit atletik është baza në ndërtimin e një kondicioni atletik, psikologjik, teknik, taktik dhe të kulturës sportive me rëndësi. Kësisoj, dua t’ju uroj një punë sa më të mbarë”, shprehet Lippi për faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit. /abcnews.al