Kroacia është një fenomen i vërtetë i futbollit botëror. Vendi i vogël ballkanas ka traditë të madhe dhe shpreson të përsërisë suksesin e 20 viteve më parë, kur doli në vend të tretë në botë.
Bota i njohu shumë mirë 20 vjet më parë. Kroacia ishte supriza e jashtëzakonshme e Kupës së Botës së vitit 1998, madje edhe më shumë sesa Franca organizatore dhe kampione. Kombi krenar përfaqësoi veten për herë të parë në një Botëror, pasi kishte qenë pjesë e Austro-Hungarisë dhe dy Jugosllavive.
Gjithsesi, emrat ishin të mëdhenj. Suker, Boban, Prosineçki, Jarni, por edhe Asanoviç, Vllahoviç, Shtimac, Soldo. Ata kishin në krye Miroslav Blazheviçin 63-vjeçar. Ajo Kroaci doli e treta në botë, dhe kjo e sotmja, e Luka Modriçit, synon të paktën t’i përngjajë. Suksesi 3-0 ndaj Argjentinës ringjalli kujtimet e triumfit të madh të 1998-s ndaj Gjermanisë, kampione e Europs, po 3-0.
Ashtu si atëherë, skuadra ka shumë yje. Vetë Modriç, por edhe Rakitiç, Mandzukiç, Perisiç, Lovren, Brozoviç apo Kovaçiç. Ndryshe nga atëherë, ka një trajner jo shumë të njohur si Zllatko Daliç, prej 7 vitesh në Lindjen e Mesme. Bllazheviç e Daliç kanë të përbashkët që punuan me shqiptarët, i pari tek Prishtina, i dyti tek Dinamo e Tiranës. Gjithsesi, fillesat e futbollit kroat janë shumë më herët se 1998-ta.
Klubet e parë u themeluan në fillim të shekullit të 20-të, në 1903 Hashku, në 1906 Konkordia Zagreb, në 1911 Hajduku i Splitit dhe Gragjanski. Në Perandorinë Austro-Hungareze dhe në Jugosllavinë e parë, ata ishin pjesë e futbollit danubian, bashkë me austriakët, hungarezët e çekët, ndërsa u përballën me gjithë botën. Nga Italia, Spanja e Gjermania, deri në Brazil dhe Argjentinë.
Shkolla kroate ishte gjithnjë nga më të mirat në Europë, me trajnerë të shquar. Zllatko Çajkovski themeloi Bajernin e madh të Bekenbauerit, Gerd Mylerit e Zep Majerit. E mori në kategorinë e dytë, e nxorri në Bundesligë në 1965, fitoi dy Kupa të Gjermanisë dhe një Kupë të Kupave të Europës. Pasardhësi i tij ishte kroati tjetër, Branko Zebec, që doli kampion me Bayern-in në 1969 si dhe fitoi kupën atë vit.
Zebec shkëlqeu edhe me Hamburgun, duke dalë kampion i Gjermanisë e duke arritur finalen e Kupës së Kampionëve në 1980, humbur përballë Notingham Forestit. Zllatko Çajkovski, trajner i Bajernit 1963-1968, njeriu që krijoi ekipin e Bekenbauerit, Mylerit dhe Zep Majerit. Në Jugosllavinë e Titos, Dinamo e Zagrebit dhe Hajduku ishin pjesë e katërshes së madhe. Dinamo arriti kulmin duke fituar Kupën e Panaireve në vitin 1967, atë që sot quhet Liga e Europës.
Në finale mundi bindshëm anglezët e famshëm të Lids Junajtidit. Kjo traditë është bekimi i futbollit kroat. Sërish me futbollistë të mëdhenj, sërish me trajnerë të rëndësishëm, një kombëtare me pretendime për të qenë mes më të mirave të botës, dhe pse i përket një kombi me vetëm 4.2 milionë banorë. Standardi për t’u arritur mbetet ai i 1998-s, vendi i tretë në botë. Brezi i sotëm, duke pasur edhe pak fat, padyshim që mund ta përsërisë./abcnews.al