Shefit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Rexhep Selimi i është ngritur akuzë nga Gjykata Speciale e Hagës. Lajmin e ka njoftuar vetë Selimi në një postim në faqen e tij në Facebook ku shprehet se nesër do të udhëtojë për në Hagë. Ai deklaron se do të shkojë me kokën lart në Hagë dhe kurdo që të kthehet do të kthehet me të njëjtën mënyrë.
“Të nderuar miq, bashkëluftëtarë, qytetarë e bashkëkombas të mi! Sonte në orët e mbrëmjes jam njoftuar nga Dhomat e Specializuara se ka një aktakuzë të konfirmuar për mua. Prandaj, po e ndjej për obligim t’ju njoftoj se nesër do të udhëtoj për Hagë (Holandë) që të përballem me këtë sfidë që i është vënë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, para së gjithash.
Unë po shkoj me kokën lart dhe kurdo që kthehem do kthehem po ashtu me kokën lart sepse isha, jam dhe do të jem ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të cilën jam i gatshëm të jap gjithçka nga vetja ime. Ideali i asaj ushtrie të lavdishme është mbi mua, mbi këdo, mbi gjithçka”, ka shkruar ai në Facebook.
Sot ka qenë një ditë e vrullshme me shumë ngjarje në Kosovë, pasi u arrestua ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi. Në një deklaratë për mediat avokati i Krasniqit, Valon Hasani ka bërë të ditur se aktakuza kundër Krasniqit është konfirmuar dhe sot pritet transferimi i tij për në Hagë./ db/Abcnews.al