Turqia voton të dielën për ndryshimet e mëdha

schedule13:13 - 22 Qershor, 2018

schedule 13:13 - 22 Qershor, 2018

Të dielën qytetarët turq votojnë për ndryshimet e mëdha. Për këtë, presidenti Erdogan ka sqaruar sistemin e ri presidencial dhe ndryshimet që pasojnë.

Turqia përgatitet për zgjedhjet e së dielës që pritet të sjellin ndryshime të mëdha në vend, duke filluar nga ndërrimi i sistemit të qeverisjes. Për këto ndryshime ka folur dhe presidenti I vendit, Rexhep Tajip Erdogan. Duke komentuar nga aeroporti i ri i Stambollit, kreu i shtetit zbuloi se çfarë do të sjellin zgjedhjet e 24 qershorit. “Në sistemin presidencial do të ulim numrin e ministrive në 16”, tha Erdogan duke sqaruar se lidhja midis qeverisë dhe parlamentit do të reduktohet.

“Në sistemin e ri, qeveria do të jetë e autorizuar vetëm për dorëzimin e projekt-buxhetit parlamentar. Në fazën e parë, katër zyra për burimet njerëzore, investime, financa dhe transformimin dixhital do të mbajnë një përgjegjësi të madhe në modelin e ri, pasi do të jetë pothuajse stafi më i afërt i presidentit”, nënvizoi Erdogan.

Sipas tij, ndryshimet në sistemin e qeverisjes erdhën sepse mangësitë e modelit aktual ishin pengesë për realizimin e shumicës të asaj që ishte planifikuar. Sipas Erdoganit, numrin e zëvendëspresidentëve në sistemin e ri do ta vendosin strukturat në Parlament. Votuesit do të dalin në votime në mbarë Turqinë më 24 qershor. Gjithashtu, më shumë se tre milionë turq që jetojnë jashtë vendit kanë të drejtën e votës në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Në zgjedhjet presidenciale garojnë gjashtë kandidatë, ndërsa në ato parlamentare tetë parti politike. Erdogan është favorit për fitimin e zgjedhjeve. Megjithatë kandidati që mund t’i hapë probleme është Muharrem Ince, i propozuar nga opozita. /abcnews.al