Kastrioti e nis kampionatin me një ndeshje kundër Partizanit. Nesër, prej orës 13:45, futbollistët e drejtuar nga Ramazan Ndreu do të zbresin në fushën e blertë në stadiumin e Kamzës. Para kësaj përballje, trajneri krutan shprehet optimist dhe beson se futbollistët e tij mund t’ia dalin të marrin tre pikët. Sigurisht me impenjim maksimal, pasi Partizani ka lojtarë që të godasin në çdo moment dhe Ndreu e thotë vetë diçka e tillë.
“Besoj që e kemi nisur mbarë me ndeshjen e Kupës, duke u kualifikuar. Kuptohet me Partizanin është një ndeshje e vështirë. Janë nga ekipet më të mira vitet e fundit, ndaj na del punë e madhe. Duhet të jemi shumë luftarakë, të luajmë thjeshtë që ta përballojmë Partizanin. Kam besim absolut te lojtarët, pasi kanë treguar gjithë këtë periudhë nivel dhe ego për të ecur përpara”, thotë Ndreu.
Sa i takon presionit te skuadra e tij, trajneri i Kastriotit shton: “Nuk besoj se ka presion të madh. Kemi lojtarë që e dinë presion dhe nivelin e Superiores. Kështu që nuk mund ta quaj që kemi presion. Do të jemi të barabartë me Partizanin, si në cilësi, si në luftë sportive, në të gjitha drejtimet. Nga miqësoret jam entuziast për djemtë që janë të etur për të zhvilluar lojëra të mira”.
Në lidhje me “demat e kuq”, Ndreu shprehet: “Kemi marrë informacione për Partizanin. Kuptohet që kanë cilësi, kanë lojtarë që në çdo sekondë të surprizojnë. Pra kanë nivel. Na ka dalë si detyrë të vendosemi mirë dhe të mos i lëmë hapësira kundërshtarit”.
“A na kënaq barazimi? Partizani është skuadër e mirë, por ne në çdo ndeshje do të futemi për fitore. Ne jemi një skuadër që nuk do të presim të na dhurojnë, por do i kërkojmë fitoret. Kështu do të bëjmë edhe këtë ndeshje. Nuk është çudi të dalë ndeshja barazim, edhe me një pikë do të ishim të kënaqur”, tha Ndreu.
I pyetur nëse ndikon fakti që Kastrioti do ta luajë ndeshjen si pritës në Kamzë, trajneri i Kastrioti deklaron: “Nëse do të luhej me tifozë, do të ishte një minus. Sportdashësit të japin moral, vrull, por me këtë situatë që luhet pa tifozë nuk është problem pjesa e fushës”.
Në fund Ndreu pyetet edhe në lidhje me mungesat në skuadër: “Në përgjithësi nuk ankohem për lojtarët që dëmtohen. Keq më vjen, por kemi bërë një skuadër ku janë 20 lojtarë që janë aty-aty. Në ecurinë tonë besoj se nuk do të ndikojnë shumë mungesat”. /abcnews.al