Juan Cuadrado, anësori i Juventusit, doli para mediave në prag të sfidës që Juventusi luan në Champions League kundër Ferencvaros. Kolumbiani pranon se bardhezinjtë morën një shuplakë kundër Barcelonës dhe nesër ndaj kampionëve të Hungarisë duhet të tregojnë vlerat dhe të luajnë sikurse i pëlqen trajnerit Pirlo.
“Sigurisht ndeshja kundër Barcelona na dha një shuplakë, por ne vijmë këtu me dëshirë dhe besim pas fitores së fundit. Nesër do të jetë një ndeshje ku do të kërkojmë të tregojmë vlerat tona”, tha fillimisht para mediave Cuadrado.
Më tej ai pyetet për përshtypjen e krijuar pasi ka zbarkuar në Hungari. “Përshtypja e parë është e mirë, kemi gjetur këtu një stadium të bukur. Vijmë këtu me dëshirën për të marrë një rezultat të mirë dhe shpresojmë që gjithçka të shkojë në mënyrë pozitive”, tha kolumbiani.
Që Juventusi të fitojë Cuadrado e ka të qartë rrugën: “Kundër Spezia ishim një ekip shumë i shkurtër dhe kompakt dhe nëse do të duhet të të futemi në fushë me të njëjtën vendosmëri dhe ta luajmë ne topin. I kemi lojtarët për të bërë një lojë të mirë dhe duhet të ofrojmë futbollin që i pëlqen trajnerit. Kështu edhe mund të kemi suksese hap pas hapi”.
DEKLARATA PËR SKY SPORT – “Cuadrado nuk u mjaftua me kaq, pasi foli edhe për Sky Sport Italia në prag të ndeshjes me Ferencvaros. “Gjithmonë është e rëndësishme të marrësh rezultat dhe kur humb sigurisht që ndeshjen e radhës do jesh më i zjarrtë dhe i vendosur.
Po punojmë dhe po përpiqemi të zhvillojmë stilin e futbollit që kërkon trajneri. Duhet të jemi më agresivë dhe një ekip më i bashkuar kur e humbim topin. Po punojmë për këtë dhe së shpjeti do të bëjmë shumë mirë”.
“CR7? Ronaldo është i lumtur dhe mezi priste të kthehej dhe të luante. Këtë e patë që nga momenti që hyri në fushë. Ai është një armë shtesë për ne. Të gjithë e dimw se çfarë i jep ai ekipit. Ai është i sigurt dhe kjo na ndihmon ne, duke na kaluar profesionalizmin dhe dëshirën për të fituar që duhet ta kemi të gjithë”. / abcnews.al