David Alaba është një çështje që shqetëson Bayern Munchen. “Xholit” austriak i përfundon kontrata me kampionët e Gjermanisë në fund të këtij sezoni dhe bisedimet për rinovimin e saj nuk kanë prodhuar asgjë.
Drejtuesit e Bayernit i kanë humbur shpresat dhe presidenti Herbert Hainer foli qartë një ditë më parë: Nuk do t’i bëjmë më asnjë ofertë lojtarit, i cili duhet të marrë nje vendim për të ardhmen brenda 7 ditëve. Klubi gjerman është i detyruar ta shesë 28-vjeçarin në merkaton e janarit, për të evituar humbjen e tij me parametra zero në fund të sezonit.
Alaba ka vendosur të flasë për Sky Sport në lidhje me këtë temë, aty ku rrëfen versionin e tij. “Respekti dhe vlerësimi që kam kërkuar në fillim të bisedimeve për rinovimin e kontratës, ka munguar. Po flas për një vit më parë, para se të shpërthente pandemia.
E njëjta situatë vazhdoi edhe më vonë. Drejtuesit e Bayernit më telefonuan më pas, duke më thënë nëse pranoja një shkëmbim me një lojtar tjetër. Ishte si të pësoja një grusht fytyrës“, deklaron lojtari i korsisë së majtë, duke iu referuar një shkëmbimi me Leroy Sane, atëherë pjesë e Cityt.
Alaba dhe agjenti i tij e refuzuan këtë opsion, pasi preferonin një transferim në La Liga nëse nuk arrihej akordi i rinovimit. “I mësova në gazeta fjalët e presidentit. Kam theksuar gjithmonë që bisedat mes nesh duhet të mbeten brenda klubit.
Në media kanë dalë shifra dhe shuma milionësh që gjoja kam pretenduar unë, por që nuk janë të vërteta. Drejtuesit e klubit nuk e kanë mohuar diçka të tillë. Veprimi i tyre më ka lënduar dhe zhgënjyer shumë“, thekson David Alaba. /abcnews.al