Shumë vende po përballen me valën e dytë të Covid-19 dhe për pasojë kanë marrë masa izoluese për të shmangur përhapjen e mëtejshme të infektimeve. Mjekët Aurora Meta Dollenberd, Teni Kamberin dhe Rubena Maçin dhe epidemiologu Ilir Alimehmeti folën për këtë situatë në një lidhje me Skype me “Abc-ja e mëngjesit”.
Izolimi shihet nga mjekët si një ndër mënyrat për të shmangur infektimin e mëtejshëm të popullatës dhe për të mos lejuar mbingarkesën e spitaleve. Alimehmeti tha se është e nevojshme izolimi parcial në bazë të moshës, për të mbrojtur kategoritë më të rrezikuara.
“Objektivi i vërtetë është që spitalet të mos ezaurohen. Nuk është objektiv të ulet numri i rasteve pozitive sepse të jesh pozitiv nuk domethënë se je i sëmurë dhe të jesh i sëmurë nuk domethënë se do të shkosh në spital. Italia publikoi të premten të dhënat e fundit dhe thotë që 55.7 përqind e pozitivëve janë asimptomatikë dhe nëse fusim dhe ata me simptoma të lehta shkojnë në 93.7 përqind. 6.6 përqind janë raste të rënda dhe 0.7 përqind kanë simptoma kritike.
A kanë kapacitet spitalet për ta përballuar dhe nëse nuk kanë do të bëjnë lockdown parciale. Bën sens të jesh elegant me masat për të mbrojtur këtë fashë. Lockdown nëse bëhet i kufizuar për moshat e mëdha, efekti do të jetë më i madh sesa lockdown i popullatës. Shkojmë në një efekt shumë më të madh nëse bëjmë një lockdown lokal për moshë.
Në një lidhje me Skype nga Franca mjeku Teni Kamberi tha gjithashtu se e vetmja mënyrë për të parandaluar mbingarkimin e spitaleve është izolimi. “Situata është alarmante në të gjitha vendet e BE-së dhe të gjitha kanë nisur karantinimin light. Në Francë restorantet dhe të gjitha dyqanet jo të domosdoshme janë të mbyllura. Kjo ishte mënyra e vetme për me ulur numrin e ardhjes në spitale.”, tha Teni. /abcnews.al