Milani këtë sezon po shfaq një fytyrë tjetër dhe po tregon vazhdimësi. Pas gjashtë javësh kryeson Serie A me 16 pikë, i shkëputur me katër pikë nga Atalanta e vendit e të dytë. Sot “viktima” e radhës për kuqezinjtë ishte Udinese.
Djemtë e Piolit fituan 1-2 dhe pas ndeshjes trajneri nuk e fsheh kënaqësinë. Ka elozhe për lojtarët e tij dhe flet gjatë për Tonalin dhe situatën e tij në ekip, ku ende nuk e ka treguar atë çka bënte te Breshia.
NDESHJA- “Lojtarët e mi janë të fortë në shpirt dhe vullnet, ata donin të fitonin tre pikët dhe në fund patën sukses. Rritja jonë duhet të shkojë përmes ndeshjeve të vështira dhe me të papritura si kjo. Udinese u rikthye në lojë shumë mirë, ne mund të luajmë futboll më të bukur. U përpoqëm të ishim të rrezikshëm e sulmues dhe kjo zgjedhje na ndihmoi”.
LOJTARËT E RINJ- “Nëse do të ishim në gjendje të stërviteshim edhe më shumë, niveli do të ngrihej edhe më shumë. Ne qëllimisht kemi zgjedhur lojtarë të rinj, unë jam shumë i lumtur me Dalot, Tonali dhe Brahim Diaz. Më vjen keq për ata që po vuajnë zgjedhjet e mia. Ne jemi vetëm në fillim, ka ende shumë për të bërë dhe shumë situata për t’u përmirësuar, por ne duhet të vazhdojmë kështu”.
TONALI- “Ai është përshtatur shumë mirë, unë kam katër mesfushorë shumë të mirë, por ai gjithashtu ka gjithçka që unë kërkoj. Ka pasim shumë të shpejtë dhe goditje të mirë. Duhet të ketë më shumë intensitet nga pikëpamja mendore. Ai nuk ishte mësuar të luante me një tjetër mesfushor qendre pranë, por unë jam i kënaqur me të. Ai është një djalë fantastik dhe gjithmonë i disponueshëm për punë, duhet të vazhdojë kështu”.
OBJEKTIVAT DHE IBRA- “E di se jam trajner i një ekipi të fortë dhe u thashë djemve edhe në fund të pjesës së parë. Vitin e kaluar ne përfunduam të gjashtët, qëllimi ynë është të përmirësojmë veten në krahasim me sezonin e shkuar dhe të shkojmë sa më larg të jetë e mundur në Europa League. Zlatan e di shumë mirë se është i rëndësishëm për ekipin. Shokët e tij të skuadrës e ndihmojnë të nxjerrë në pah cilësitë e tij”, u shpreh trajneri i kuqezinjve. /abcnews.al

