“Takimi” për minishengenin Ballkanik, Rama: Do të thellojmë bashkëpunimin rajonal

schedule17:54 - 30 Tetor, 2020

schedule 17:54 - 30 Tetor, 2020

Udhëheqësit e Shqipërisë, Serbisë, dhe Maqedonisë së Veriut, Presidenti Aleksendar Vuçiç, kryeministrat, Edi Rama dhe Zoran Zaev, zhvilluan sot një takim përmes Zoom-it, për rifillimin e nismës për bashkëpunimin e thelluar rajonal që u prezantua vitin e kaluar.

Veprimtaritë e nismës për bashkëpunimin e thelluar rajonal u shtynë për shkak të pandemisë Covid-19 dhe zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.

Tre udhëheqësit raportohet se ranë dakord se kriza e ka theksuar nevojën për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe integrimit ekonomik rajonal.

Detajet e zbardhura nga kryeministria

Gjatë takimit online, Vuçiç dhe kryeministrat, Rama dhe Zaev, theksuan se nisma është në përputhje të plotë me Procesin e Berlinit dhe përbën një bazë të mirë për përgatitjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor për takimin e ardhshëm mbi Ballkanin Perëndimor, që do të mbahet në nëntor në Sofje.

Këtë vit, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut janë bashkëkryesuese të Procesit të Berlinit.

Udhëheqësit e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ranë dakord po ashtu se është shumë e rëndësishme që në nismën për bashkëpunim të thelluar rajonal të marrin pjesë të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ata ftuan zyrtarisht Kosovën që të bashkohet me nismën për bashkëpunim të thelluar rajonal.

Ftesa vjen në vijim të kuadrit të përcaktuar në takimin e Uashingtonit në shtator të këtij viti midis Presidentit serb dhe Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.

Vuçiç dhe Rama e Zaev ranë dakord po ashtu të ngrenë një grup të përhershëm pune, që do të përfshijë përfaqësues zyrtarë nga secili prej vendeve, me qëllim përshpejtimin e zbatimit të veprimtarive, për të cilat është rënë dakord në kuadrin e nismës së bashkëpunimit të thelluar rajonal.

Udhëheqësit ranë dakord se nisma e bashkëpunimit të thelluar rajonal mund të përdoret për identifikimin e projekteve të përbashkëta në infrastrukturë për agjendën e zhvillimit të rajonit, në përputhje me Paketën Ekonomike e të Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Po ashtu, tre Liderat u dakortësuan të thellonin bashkëpunimin dhe të linjëzojmë politikat në lidhje me shëndetin publik në kontekstin e luftës kundër Covid-19.

Tre udhëheqësit thanë se shpresonin që, së shpejti, edhe qeveritë e Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës do të mund t’i bashkoheshin nismës. Kështu, mund të arrihet një bashkëpunim më i mirë ekonomik midis të gjitha vendeve të rajonit, çka do të sillte si rezultat rritjen e lirive, tregtisë dhe përgjithësisht, standarde më të mira jetese për të gjithë popujt e rajonit. s.b/abcnews.al/