Komunitetit Mysliman i Shqipërisë ka reaguar në lidhje me ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në Francë, ku si pasojë kanë humbur jetën disa persona.
Në reagimin e tij Komuniteti thekson se dënojnë sulmin dhe vrasjen e mësuesit në Francë duke e cilësuar vrasjen të pajustifikueshme.
Ndër të tjera ato theksojnë se ndjekin me shqetësim reagimet për këtë çështje në mediumet e Tiranës, ku hera-herës, persona jokompetentë, në emër të “lirisë së shprehjes”, i bashkohen fyerjeve ndaj Profetit (a.s.).
Sipas përfaqësuesve të komunitetit Mysliman kjo është një sjellje që nuk ndihmon në frymën e tolerancës fetare, për të cilën populli shqiptar krenohet aq shumë.
Reagimi i plotë:
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë po ndjek me vëmendje ngjarjet e fundit në Francë. Ne dënojmë ashpër aktin e vrasjes së një mësuesi francez, kryer nga një adoleshent. Vrasja është e pajustifikueshme, është akt makabër.
Nga ana tjeter, është e papranueshme fyerja e simbolit të paqes e urtësisë, Profetit Muhamed (a.s.). Fyerje e cila është e përsëritur në disa mediume franceze e më gjerë.
Këto ngjarje fyejnë rëndë çdo mysliman, në çdo vend ku ndodhet.
Gjithashtu, ne ndjekim me shqetësim reagimet për këtë çështje edhe në mediumet e Tiranës, ku hera-herës, persona jokompetentë, në emër të “lirisë së shprehjes”, i bashkohen fyerjeve ndaj Profetit (a.s.).
Kjo nuk ndihmon në frymën e tolerancës fetare, për të cilën populli shqiptar krenohet aq shumë.
Fyerja e së shenjtës së tjetrit nuk është “liri shprehje”.
Liria e shprehjes duhet të hyjë brenda një kornize të përgjegjësisë sociale që ruan të drejtat e tjetrit!
Ne i bëjmë thirrje gjithë besimtarëve myslimanë me kombësi shqiptare, rezidentë në Francë, të jenë të përmbajtur përballë situatave të tilla!/abcnews.al