Sezoni i ri i futbollit shqiptar do të nisë më në fund. Ekipet rikthehen në fushë të dielën, ditë kur do të luhen përballjet e turit të parë të Kupës së Shqipërisë, teksa të mërkurën e ardhshme do të zhvillohet java e parë e Kategorisë Superiore.
Abcnews.al mëson se në FSHF është vendosur që deri në fund ky turne të zhvillohet me tek ndeshje, ndërkohë që si pritës ndeshjet e dy tureve të para do të jenë ekipet e renditura më lart në sezonin e fundit.
Çiftet e turit të parë janë ndarë në dy grupe. Në grupin A bëjnë pjesë ekipe si Tirana, Laçi dhe Teuta, fituesit në fuqi të këtij kompeticioni. Duele të lehta për skuadrat e Superiores, teksa bie në sy përballja Flamurtari-Dinamo.
Kukësi, Skënderbeu, Partizani dhe Vllaznia janë pjesë e grupit B, ekipe që nuk pritet të hasin aspak probleme në lidhje me kualifikimin. Ndryshe nga se ka ndodhur në sezonet e fundit, këtë vit do të ketë short të lirë edhe për fazën çerekfinale, jo vetëm për gjysmëfinalet. Ekipet pritëse do caktohen nga shorti. /abcnews.al