Në spitalet gjermane janë shtuar kapacitetet e shtretërve dhe të aparateve të frymëmarrjes për pacientët SARS-CoV-2, por ka mungesa të mëdha infermierësh dhe personelit ndihmës, tha Presidenti i Shoqatës Ndërdisiplinore Gjermane të Mjekëve të Reanimacionit dhe të Urgjencës, Uwe Janssens.
Sipas tij vetëm aparatet dhe shtretërit nuk mjaftojnë, kur në të gjithë Gjermaninë mungojnë rreth 3500 deri në 4000 punonjës të specializuar në fushën e reanimacionit.
Kryetarja e sindikatës së mjekëve, Marburger Bund, Susanne Johna, mendon se së shpejti mungesa e personelit në spitale do të duket qartazi, sepse “6 deri në 9% e të infektuarve pritet të kenë nevojë për t’u trajtuar në spital brenda dy javësh.” Ajo tha se për çdo pacient të sëmurë rëndë me COVID-10 nevojitet një infermiere në repartin e reanimacionit.
Kurse Presidenti i Shoqatës së Spitaleve Gjermane, Gerald Gaß, tha se vërtet mungesa e personelit të infermierisë është “sfida kryesore nëse numri i pacientëve rritet”, por ajo mund të përballohet me riorganizimin e personelit brenda spitaleve. Sipas tij vetëm një ndër pesë pacientë që shtrohen në spital me koronavirus ka nevojë për trajtim mjekësor intensiv në repartin e reanimacionit.
Gjithnjë e më shumë zona në Gjermani konsiderohen si zona rreziku. Në disa rajone janë mbyllur përsëri shkollat dhe kopshtet, si për shembull në Berchtesgadener Land apo Rottal-Inn në Bavari. Po ashtu shumë zona kanë vendosur edhe mbylljen e restoranteve. Kufizimet vlejnë fillimisht për dhjetë ditë.
Kancelarja Angela Merkel pritet të diskutojë me kryeministrat e landeve se si mund të parandalohet përhapja e shpejtë e koronavirusit, transmeton abcnews.al
Qeveria federale gjermane dhe disa nga kryeministrat e landeve kanë theksuar vazhdimisht që shkollat, kopshtet dhe ndërmarrjet mundësisht nuk duhet të preken nga një bllokim i dytë. Prandaj fokusi i masave kufizuese tani po përqendrohet gjithnjë e më shumë tek baret, restorantet, tek vendosja e orëve policore/shtetrrethimeve dhe tek eventet.
Shefi i OBSH paralajmëron për mbingarkesë në njësitë e kujdesit intensiv
Problemi nuk është vetëm në Gjermani. Për shkak të rritjes së rasteve, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka paralajmëruar për mbingarkesën e njësive të kujdesit intensiv, veçanërisht në Europë dhe Amerikën e Veriut.
“Shumë vende në hemisferën veriore aktualisht po shohin një rritje shqetësuese të rasteve dhe shtrimeve në spital,” tha shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus në një konferencë në Gjenevë të hënën.
Më shumë se 40 milion të infektuar janë në të gjithë botën që nga fillimi i pandemisë. Më shumë se një milion njerëz kanë vdekur nga Covid-19.
Tedros theksoi se shumë njerëz kanë shfaqur “lodhje pandemike”. Stresi psikologjik dhe fizik i punës nga shtëpia dhe largimi nga miqtë dhe familja janë të shumta. Njerëzit nuk duhet të dorëzohen.
Shefi i OBSH-së u bëri thirrje njerëzve të marrin çdo masë paraprake për të shmangur infektimin. Kjo është mënyra e vetme për të shmangur izolimin. s.ba/abcnews.al