Nga Constanze Stelzenmüller, The Financial Times
Gjermania ka pasur boll surpriza të këqija gjeopolitike vitet e fundit. Por më e keqja deri tani – atë që strategjistët e quajnë një “mjellmë të zezë” – nuk ishte agresioni rus në pragun e Evropës, dhe as kërkimi i Kinës për dominim global, apo shkaktimi nga Turqia i një konflikti në Mesdheun lindor.
Ishte zgjedhja e Donald Trump si president i SHBA-së. Për pasojë, gjermanët janë të tmerruar nga mundësia e rizgjedhjes së tij më 3 nëntor. Kancelarja Angela Merkel, një transatlantiste e përkushtuar, nuk krijoi kurrë me zotin Trump, llojin e marrëdhënies që kishte me herët me paraardhësit e tij Xhorxh Ë.Bush dhe Barak Obama.
Trump është presidenti i parë amerikan i pasluftës, që nuk kreu një vizitë shtetërore në Gjermani në mandatin e tij të parë. Por problemet e Berlinit me Uashingtonin, shkojnë përtej dy udhëheqësve respektivë. Në shumë pika ka mosmarrëveshje.
Proteksionistët tregtarë, shohin si problem tepricat buxhetore të Gjermanisë. “Skifterët’ e Lindjes së Mesme, janë mërzitur që Berlini (në aleancë me Parisin dhe Londrën), dëshiron të ruajë marrëveshjen bërthamore të Iranit.
“Skifterët” anti-Pekin, e akuzojnë zonjën Merkel, pse sillet butë me Pekinin. Anti-rusët janë të mërzitur nga ngurrimi i Gjermanisë për të ndalur projektin e gazsjellësit “Nord Stream 2”. Komuniteti i mbrojtjes, është thellësisht i zhgënjyer që vendi shpenzon për mbrojtjen jo më shumë se 1.5 për qind të produktit të tij të brendshëm bruto.
Sigurisht, një mandat i dytë për Trumpin do të kishte një ndikim krejtësisht të ndryshëm në marrëdhëniet SHBA-Gjermane, sesa një presidencë e Xho Bajdenit. Ka të ngjarë që një Donald Trump fitimtar, do të kishte më shumë nxitje për t’i dhënë fund luftërave të SHBA-së në Afganistan dhe Lindjen e Mesme, apo për të tërhequr trupat amerikane nga Evropa.
Madje Trump mund të shpresojë të lidhë një aleancë me Rusinë kundër Kinës. Ky do të ishte gati me siguri fundi i NATO-s. Zoti Bajden e vlerëson aleancën transatlantike, si dhe nivelin rregullator të BE-së. Megjithatë, e zënë me një mori sfidash të brendshme, edhe administrata e tij do të duhej të përqendrohej urgjentisht tek ngritja e Kinës.
Barra e sigurisë rajonale – nga Afrika e Veriut përmes Mesdheut Lindor dhe Lindjes së Mesme deri në Kaukaz, Ukrainë dhe Bjellorusi – do të bjerë mbi Evropën. Pavarësisht se kush fiton në këto zgjedhje, e vërteta është se kjo barrë do të bjerë mbi vendin më të fuqishëm të Evropës, për ta kthyer veten në spirancën e sigurisë së kontinentit.
Gjermania është e papërgatitur për këtë, thotë Norbert Rëtgen, kryetar i komitetit të punëve të jashtme në Bundestag. Në Berlin, ekziston ende një ndjenjë e re emergjence. Në verë, Gjermania mbështeti një program të madh të rimëkëmbjes të financuar nga borxhi për BE-në e goditur nga pandemia.
Ai ka mbështetur sanksionet e reja kundër figurave kryesore të Kremlinit, pas atentatit ndaj udhëheqësit rus të opozitës Aleksei Navalni. Dhe ndërsa Merkel nuk duket ende e gatshme të pezullojë projektin e “Nord Stream 2”, për herë të parë ajo nuk ka pranuar që ta përjashtojë një mundësi të tillë.
Parlamenti po shqyrton një ligj që do të ndalonte kompaninë kineze të telekomunikacionit Huauei, të ndërtojë rrjetin 5G të Gjermanisë. Sa për SHBA-në, ministrja gjermane e Mbrojtjes Anegret Kramp-Karrenbauer, mbajti një fjalim të fuqishëm javën e kaluar, në
të cilën ajo tha ndër të tjera se Gjermania do të duhej të bëhej një “donatore strategjike”, dhe të luante një rol më të fortë në sigurinë e Evropës.
Ministri i Jashtëm, Heiko Mas, e ndoqi në këtë linjë, me një paralajmërim të hapur se “përfituesit nga mosmarrëveshjet tona, ndodhen në Pekin dhe Moskë, por edhe në Teheran dhe Phenian”. Që të dy theksuan nevojën për të bashkëpunuar në përballjen me agresivitetin kinez.
Por frika e zhytjes në një konfrontim me SHBA-në është e dukshme. Dilema e Berlinit,
është se ai dëshiron të rezervojë të drejtën të pranojë të mos pajtohet me gjithçka me Uashingtonin, pavarësisht se kush është presidenti i ardhshëm. Por deri në atë pikë, ka një rrugë të gjatë përpara. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al/