Përdorimi i administratës shtetërore dhe aseteve të saj për qëllime elektorale ka qenë një nga shqetësimet më të mëdha në çdo zgjedhje.
Tashmë që socialistët zotërojnë jo vetëm qeverinë, por edhe të gjithë pushtetin lokal, e bën atë të hyjë më avantazhe më të mëdha në zgjedhje në raport me opozitën.
Për këtë, Këshilli Politik vendosi në marrëveshjen e 5 qershorit që KQZ të monitorojë aktivitetet e qeverisë dhe të mos lejojë mbajtjen e atyre eventeve që mund të kenë qëllime përfituese elektorale.
Në Kodin Zgjedhor, monitorimi fillon 5 muaj përpara zgjedhjeve, pra që prej 25 dhjetorit.
“Stafet përkatëse janë duke punuar për këtë çështje, për ta administruar që zgjedhjet të realizohen në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare. Ne e kuptojmë që ka nevojë që të rikthehet besimi i qytetarëve në procesin zgjedhor, por edhe i partive politike në proces”, tha kryekomisioneri Celibashi.
Për ato aktivitet që dyshohen të jenë elektorale, KQZ i etiketon me kod të kuq, dhe media që i transmeton ato, gjobiten. Komisioneri Celibashi, një ish-ministër i kësaj qeverie, zotohet të bllokojë agjendën e Edi Ramës nëse ajo është abuzive.
“Nuk pengohem dhe autopengohem për ta ushtruar përgjegjësinë time si Komisioner në përputhje me të gjitha ato përcaktime të Kodit Zgjedhor dhe të Kushtetutës”, tha ai.
Në mbledhjen e parë, Komisioni Rregullator vendosi që takimet dhe vendimet zgjedhore të merren edhe online në rast të ashpërsimit të pandemisë, por çfarë do të ndodhë me votimet, nëse virusi bëhet agresiv?
“Kjo ngelet për tu parë. Është çështje delikate dhe kërkon vlerësim të rasteve që do të na imponojnë zhvillimin e votimit. Është një proces që do t’i përfshijë të gjithë aktorët, nuk është një çështje kaq e thjeshtë”, tha më tej Celibashi.
Votimi në distancë, nga shtëpia apo online nuk lejohet në vendin tonë, dhe rritja e infeksionit mund të ulë pjesëmarrjen në votime.
/abcnews.al/