100 vjetori i Bibliotekës Kombëtare, “Thesaret” e saj prezantohen në një ekspozitë në kryeministri

schedule17:16 - 23 Tetor, 2020

schedule 17:16 - 23 Tetor, 2020

Nga Leontina Nika

Me thënien latine”Verba Volant Scripta Manent”, “ fjala fluturon , shkrimi mbetet “ prezantohen “Thesaret e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë në Kryeministri.

Ky aktivitet  është konceptuar si mënyra më e mirë për kremtimin e këtij përvjetori të institucionit më të vjetër kulturor  në vendit  në këtë kohë pandemie

Në fakt, një ndër vendimet e para të marra nga qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës, në vitin 1920, qe pikërisht ai i krijimit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

Ky prezantim sjell rrugëtimin e gjatë të kësaj biblioteke, që nga fillimet e saj me vetëm 3 000 libra në vitin 1920, kur u krijua, me rreth 1.300.000 njësi bibliotekare (libra, dorëshkrime, koleksione gazetash, harta) që ajo ka sot.

Drejtori Pirro Misha  e cilëson si ekspozitën më të madhe të organizuar ndonjëherë nga BKSH.  Mbi 800 libra e dorëshkrime, të cilat ekspozohen përbëjnë disa prej vlerave më të rëndësishme të fondit të Bibliotekës Kombëtare.

Detyra kryesore e Bibliotekës Kombëtare është të mbledhë dhe të ruajë trashëgiminë e shkruar të popullit shqiptar. Ndaj dhe një pjesë e rëndësishme e ekspozitës i kushtohet pikërisht kësaj trashëgimie.

Prezantohen veprat e autorë që vunë gurët e parë në themelet e trashëgimisë sonë të shkruar apo në historinë e mbrujtjes së identitetit kombëtar, duke nisur nga Meshari i Buzukut, te Bogdani e Budi, për të përfunduar me De Radën, Sami Frashërin, Dora D’Istrian si dhe veprat e disa prej albanologëve më të shquar të shekullit të XIX.

Një vend të veçantë zënë dorëshkrimet e disa prej figurave më të spikatura të Rilindjes sonë Kombëtare: Kristoforidhit, Nolit, Gjeçovit, Faik Konicës, etj.

Një vend krejt të veçantë zënë 9 ditarët e mbajtur nga dijetari i shquar austro-hungarez, Franz Nopça, gjatë udhëtimeve të tij në veriun e Shqipërisë.

Vlen të përmendet dhe rindërtimi i bibliotekës vetjake të Faik Konicës, e sjellë kjo nga Bostoni, SHBA, me mbi 300 libra.

Por një nga qëllimet e ekspozitës është të arrijë një efekt surprizë, duke ekspozuar një numër të madh librash e dorëshkrimesh me vlerë të madhe, disa prej të cilave vërtet të rralla, të cilat fatkeqësisht, kanë mbetur deri tani fare pak në mos aspak të njohura nga publiku, madje dhe nga vetë studiuesit thekson Misha.

Vlen këtu te theksohet se rreth 80% e librave e dorëshkrimeve të kësaj ekspozite, ekspozohen për herë të parë. Pjesa dërrmuese e tyre janë botime te para viteve 1800.

Fillohet me veprat e antikitetit greko-romak. Biblioteka disponon një koleksion të rëndësishëm të përbërë me disa prej botimeve më të hershme të autorëve të antikitetit në Evropë, si të Aristotelit, Strabonit, Demostenit, Plinit, Eskilit, Sofokliut, Ciceronit, etj.

Një vend të veçantë zë dhe koleksioni i autorëve bizantinë. BKSH disponon një koleksion të jashtëzakonshëm të Korpusit Bizantin, d.m.th me vepra të autorëve kryesorë bizantinë, në edicione dy gjuhëshe (greqisht e latinisht).

Jo më pak me interes është dhe koleksioni i dorëshkrimeve orientale: arabisht, persisht dhe osmanisht, disa prej tyre me vlerë të madhe. Vlen të veçohet biblioteka e Bushatllinjëve, me rreth 130 dorëshkrime.

Një vend të veçantë do zënë botimet me natyrë fetare të tre besimeve fetare kryesore në vend, ku BKSH ka një koleksion mjaft të pasur me botime mjaft të rralla, mes të cilave një sërë Biblash e  Kodikësh të 1500, botime nga Papa Piu II e Shën Agostini të shekujve të 1400 e 1500.

E kështu mund të vazhdohet me pavijonin e veçantë të botimeve veneciane, kushtuar një vargu  botimesh mjaft të rrallë nga Rilindja Italiane e ajo evropiane.

Për ta përfunduar me koleksionin e pasur të disa prej veprave më përfaqësuese të Iluminizmit Evropian, duke nisur nga botimi i parë i Enciklopedisë së famshme të Didëroit me 39 vëllime,  vepra e përmbledhur e Zhan Zhak Rusoit me 13 vëllime, apo seria e botimeve të para të Volterit, të Isak Njutonit, Adam Smithit, e shumë e shume të tjera..

Ekspozita do te qëndrojë e hapur deri me 2 nëntor.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!