Esion Konomi
Një marrëveshje mes presidencës, mazhorancës, Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe ambasadave më me rëndësi në vend, do të bëjë të mundur që Gjykata Kushtetuese të jetë vërtetë funksionale në fund të këtij viti.
ABC News, ka mësuar nga burime të kryqëzuara mes këtyre palëve, se të gjithë do të mbyllin sytë duke shkelur një nen të Kushtetutës që kërkon 3 kandidatë për cdo vakancë.
Në këtë mënyrë do të ecet përpara duke emëruar qoftë edhe një kandidat të vetëm, që e bën Gjykatën funksionale, si një kusht i BE-së për të nisur bisedimet për anëtarësim në fundvit, por edhe si një element i domosdoshëm për zgjedhjet e ardhshme nëse do të duan palët ti drejtohen.
Në respekt të nenit 125 të Kushtetutës, KED duhet t’i kërkonte Presidentit ta rihapte garën për një gjyqtar Kushteutes, pasi vetëm dy emra u kualifikuan.
Por një gjë e tillë nuk do të ndodhë, dhe KED do t’i dërgojë Metës vetëm emrin e Sonila Bejtjas dhe Altin Binajt.
E njëjta gjë me vakancën e Kuvendit ku kanë aplikuar tre kandidatë dhe një është skualifikuar nga KED. Në listën me dy emra, Kuvendi parashikohet të votojë prokurorin Altin Binaj i cili ka kaluar me sukses vettingun.
Kur këto dy emërime të bëhen, një nga Presidenti e një nga Kuvendi, atëherë Kushtetuesja bëhet me 6 anëtare dhe mund të marrë vendime.
Më pas, asaj do t’i shtohen edhe një tjetër anëtar i propozuar nga Presidenti e po ashtu 3 të fundit që do të vijnë nga Gjykata e Lartë. Këta të fundit, për shkak të zbrazjeve që ka shkaktuar vettingu, do të vonojnë, por nuk e pengojnë Gjykatën Kushtetuese të funksionojë./mv. abcnews.al

