Starton sot Kupa e Botës. Rusia, vendi mikpritës, ka marrë të gjitha masat për organizimin e këtij eventi të rëndësishëm. Në këtë edicion marrin pjesë 32 ekipe përfaqësuese.
Sot pasdite nis kampionati botëror i futbollit “Rusi 2018”. Ndeshja e parë kësaj Kupe Bote do të luhet në orën 17:00 dhe do të jetë pikërisht skuadra e vendit mikpritës që do hapë këtë kampionat në përballjen me Arabinë Saudite.
32 ekipe që përfaqësojnë 32 vende, duke përfshirë edhe kombin pritës, do të marrin pjesë në turne. Kupa e Botës “Rusi 2018” do të organizohet në 11 qytete, duke filluar nga Kaliningrad deri në Ekaterinburg. Kryeqyteti rus, Moska, do të organizojë ndeshjen finale më 15 Korrik 2018. Moska është edhe shtëpia e stadiumit më të madh, me stadiumin Luzhniki, me kapacitet prej 80 mije vendesh. Çmimet e biletave për ndeshjet variojnë nga 20 dollarë amerikanë për kategorinë më të ulët në më shumë se 1000 dollarë për kategorinë më të lartë për finalen.
Ky kampionat do të jetë edicioni i 21-të i Kupës së Botës. Rusia është vendi më i madh nga pikëpamja gjeografike, ku zhvillohet ky kompeticion. Ndërsa Katari, ku do të zhvillohet Kampionati Botëror i Futbollit në vitin 2022, do të bëhet vendi i parë i Lindjes së Mesme, por edhe vendi më i vogël gjeografikisht, ku do të mbahet ky kompeticion.
Kupa e Botës “Rusi 2018” do të vijë çdo ditë në ekranin e ABC News përmes programit “Ruleta Ruse”, ku me të ftuarit në panel do të diskutohet për rezultatet, stadiumet, skuadrat, arbitrat, tifozët dhe çdo surprizë të këtij kampionati. Sot “Ruleta Ruse” transmetohet live në orën 16:00./abcnews.al