Bledi Shkëmbi është një nga të ftuarit në emisionin “Pressing” në ABC News. Trajneri i njohur, u ndal te situata e futbollit shqiptar. Sezoni i ri nuk po fillon akoma dhe 41-vjeçari korçar analizon problemet që do të hasin skuadrat e Superiores, teksa ndalet edhe te Tirana, kampionët në fuqi.
“Ne kemi miq trajnerë, futbollistë. Të gjithë këto javë i kanë kaluar duke u stërvitur dhe duke pritur lajmin se kur do të luhet ndeshja. Ana psikologjike ndikon te lojtarët, ndeshjet do të jenë afër njëra-tjetrës. Ekipet me merkato të mirë do e përballojnë kampionatin, ekipet e tjera kanë defekte.
Problemet do të dallohen në muajt janar dhe shkurt, aty do të dallohet ngërçi i krijuar në këtë periudhë. Vetëm nga ana sportive është i dëmshëm ky bojkot. Do të jetë fitore e madhe për futbollin, nëse plotësohen kërkesat e Ligës.
5-6 skuadra kanë pasur nevojë për këtë pauzë, edhe Kukësi. Tirana? Mungesa e Cale është e rëndësishme, por i kemi ndjekur në miqësore dhe mua më kanë pëlqyer dy nga lojtarët e rinj që janë afruar. Najdovski më ka pëlqyer, e ka zëvendësuar mirë Muçën
Një ekip i fortë duhet të mësohet edhe me mungesa. Tirana ishte i vetmi ekip që shumë rrallë lëvizte 11 lojtarët në formacion. Trajneri shumë pak ndryshonte, edhe pse kishte lojtarë formacioni në stol. Rëndësi ka që ka ruajtur boshtin dhe lojtarët që do mbajnë peshë, kjo do e ndihmojë shumë“, deklaron Shkëmbi.
Edhe Alpin Gallo, ish-mbrojtës i njohur dhe trajner i bardhebluve, ndalet te gjendja e Tiranës: “Egbo vërtetë duhet të jetë i shqetësuar, sepse mori një punë të ngritur vitin e kaluar. Nuk kishte aq shumë përgjegjësi, sivjet ka presionin e të qenurit trajner. Stoli është i rëndësishëm kur të fillojë sezoni.
Ngarkesa e lartë e ndeshjeve dhe e ritmit që do kërkohet, nuk do përballohet me 11 lojtarë”, deklaron Gallo. Nevil Dede, në lidhje me Tiranën tha: “Nga afrikanët e afruar, ai i fundit (Richard Danso), është disi më mirë se të tjerët. Tirana ka bërë një nga afrimet më të mira të viteve të fundit në Shqipëri, duke marrë portierin Bekaj”. /abcnews.al

