Kuvendi miraton rezolutën për antisemitizmin, Ruçi: Shqipëria, atdhe rezervë për hebrenjtë!

schedule15:04 - 22 Tetor, 2020

schedule 15:04 - 22 Tetor, 2020

U miratua sot në Kuvendi Rezoluta “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”, propozuar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe deputetja Blerina Gjylameti.

Rezoluta mbështetet në përcaktimin e kësaj Aleance, e cila bashkon qeveritë dhe ekspertët për avancimin e vlerave që përkujtojnë Holokaustin, sipas deklaratës së Stokolmit të vitit 2000.

Përkufizimi dënon ndjenjat e urrejtjes ndaj individëve hebrenj dhe jo-hebrenj, komuniteteve, pronave dhe institucioneve komunitare e fetare të hebrenjve, si edhe perceptimet denigruese ndaj tyre, përpjekjet për të mohuar Holokaustin dhe për të zbatuar standarte të dyfishta në qëndrimet ndaj Izraelit.

Miratimi i Rezolutës ndodh vetëm pak ditë para organizimit prej Kuvendit të Shqipërisë, në partneritet me Lëvizjen Kundër Anti-Semitizmit dhe Agjencinë për Hebrenjtë të Izraelit, të Forumit të parë Ballkanik Kundër Anti-Semitizmit.

Shqipëria është vendi i vetëm në Europë, ku të gjithë hebrenjtë u morën në mbrojtje dhe u shpëtuan gjatë Luftës së Dytë Botërore. Atdheu ynë, Shqipëria, në kohë të vështira ka shërbyer si një atdhe rezervë për ta. Gjatë Luftës kemi ndarë me hebrenjtë të njëjtin atdhe. Togfjalëshi  “atdhe rezervë” nuk është një frazë për të zbukuruar  apo zmadhuar kontributin e shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve. Por për të theksuar faktin se në Shqipëri u shpëtuan jo vetëm 204 hebrenjtë vendas, por edhe 10-fishi i tyre ardhur nga Europa Qendrore e Lindore. Në prag të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria kishte rreth 800 hebrenj jorezidentë të pranuar prej vendeve me rrezik. Ndërsa deri në fund të Luftës u morën në mbrojtje mbi 3000 hebrenj,” u shpreh Ruçi. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!