Real Madrid e nis sezonin e ri të Champions League me sfidën ndaj Shakhtar Donetsk. Ekipi i Zinedine Zidane pret të mërkurën në “Santiago Bernabeu” ukrainasit, një kundërshtar tepër i rrezikshëm që nuk duhet nënvlerësuar aspak.
Trajneri i rekordmenëve të kompeticionit me të rëndësishëm për klube, flet rreth gjendjes së skuadrës, duelit me Shakhtar, mungesave dhe situatës jo të mirë si pasojë e disfatës shtëpiake së fundjavës në kampionat kundër Cadiz.
“Ne e dimë kush jemi dhe e kemi të qartë se çfarë duam. Në Champions ka rëndësi të madhe të përgatitësh ndeshjen shumë mirë. Ka shumë skuadra që mund të triumfojnë në këtë kompeticion. Ne jemi një ndër ta dhe, si çdo vit, do tentojmë trofeun edhe këtë radhë. Nuk do të jetë aspak e lehtë, sezoni do të jetë i komplikuar. Duam të nisim me fitore ndaj Shakhtar.
Hazard? Dëmtimi i tij ishte më i rëndë sesa e menduam, por është rikthyer në stërvitje. Unë kam besim maksimal te të gjithë njerëzit me të cilët punoj, shpresoj që ta shohim Hazard sa më shpejt në fushë. Nuk duam të nxitohemi, rëndësi ka që Eden të vijë sa më shpejt në formë të mirë.
Ne lundrojmë të gjithë në të njëjtën varkë, kritikat vetëm sa na forcojnë më shumë. I meritojmë dhe i pranojmë kritikat në lidhje me ndeshjen e fundit në kampionat, unë mbi të gjithë pasi jam përgjegjësi kryesor. Puna është zgjidhja e gjithë problemeve dhe ajo që të përmirëson.
Është gjë e mirë që luajmë çdo tre ditë. Lojtarët luftojnë fort dhe japin më të mirën, por ka raste kur gjërat nuk shkojnë ashtu siç duhet. Kjo skuadër i ka treguar gjithmonë vlerat e veta në kohë të vështira. Jam i bindur që do të përmirësohemi dhe do të bëjmë më mirë në të ardhmen. Na presin ditë të shkëlqyera përpara.
Do të ndryshojmë kundër Shakhtar, por e dimë që kritika do të ketë gjithmonë, edhe në rastet kur fitojmë. Sergio Ramos? Nuk është stërvitur me ne mëngjesin e sotëm, pasi ndjen dhimbje. Nuk duam të rrezikojmë me të.
Jemi përgatitur mirë për duelin me Shakhtar, mendja jonë është fokusuar krejtësisht te ky takim. Ata janë shumë kompetitivë, janë një skuadër e madhe. Duan të shfaqin anën e tyre më të mirë kundër nesh, kështu që jemi gati.
Futbolli ka ndryshuar shumë nga pikëpamja fizike dhe sot luhet me një intensitet më të lartë se më parë. Lojtarët duhet të stërviten fort për të përballuar ritmin e ndeshjeve. Më pëlqen kjo gjë, ashtu si edhe presingu në zonën kundërshtare. E dimë që mund t’i shkaktojmë probleme çdo kundërshtari nëse bëjmë presing lart”, përfundon Zidane. /abcnews.al